Aliu: Të gjitha të dhënat e siguruara pas hetimeve për operacionet e panevojshme kardiokirugjike do të dorëzohen në Prokurori dhe tek Oda e mjekëve
Aliu: Të gjitha të dhënat e siguruara pas hetimeve për operacionet e panevojshme kardiokirugjike do të dorëzohen në Prokurori dhe tek Oda e mjekëve
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Pas përfundimit të të gjitha procedurave hetimore për operacionet kardiokirurgjike të kryera pa nevojë, raporti final me të dhënat e plota të pacientëve dhe me evidentimin e mjekëve dhe institucioneve ku dyshohet se janë kryer ndërhyrje të panevojshme do t’i dorëzohet Prokurorisë dhe Odës së Mjekëve. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në intervistën për ALSAT tha se një pjesë e pacientëve që i janë nënshtruar këtyre operacioneve tashmë përballen me pasoja shëndetësore.
“Ju garantoj që në fund të gjithë raportet, të gjithë të dhënat me portfolien e pacientëve do të shkojnë në të gjitha organet shtetërore që janë direkt dhe indirekt të lidhura. Kush janë ato, siç lidhet nga Prokuroria deri tek Oda e Mjekëve. Ato janë të pavarura do të duhet të japin raport procedurat që do ti ngrisin nga e para për këto institucione shëndetësore, për këto mjek që kanë qenë pjesë e këtij procesi”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Sipas Aliut raporti final nga komisioni i brendshëm i ministrisë dhe ekspertë të huaj do të mundësoj krijimin e ligjeve të reja në mënyrë që të mos përsëriten rastet e tilla.
“Koordinimi ndërmjet institucioneve shtetërore publike dhe private në shtet bashkë me grupin ekspertë do të bëjnë edhe njëherë analizë brenda institucioneve që të bëjnë një ekzaminim të brendshëm në aspekt të protokolle brenda institucioneve shëndetësore. Unë jam shumë i sigurt që në fund ky raport do të jetë një rrugëtim, një protokoll i cili do të na jep mundësi të ndryshojmë ligje apo të krijojmë protokolle të reja për shëndetësinë në shtetin tonë”, shtoi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Aliu njoftoi se nga 25 raste të shqyrtuara, dhjetë pacientë në vend i janë nënshtruar operacioneve të zemrës pa nevojë, vetëm për përfitime financiare. /Alsat.mk







