Aplikacioni ‘TVSH-ja ime’ jashtë funksionit
Në vend që të skanoni faturën, ju shfaqet njoftimi se nuk ka lidhje me rrjetin. Tashmë për të tretën ditë me radhë nuk funksionon aplikacioni “TVSH-ja Ime”. Kjo masë, e cila është shumë e popullarizuar tek qytetarët, gjatë këtij viti është përballur vazhdimisht me probleme teknike dhe vonesa në pagesa. Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) arsyetohen se gjithçka lidhet me një problem teknik, pa dhënë shpjegime të tjera.
Qytetarët në rrjetet sociale po komentojnë dhe ankohen për problemet e vazhdueshme dhe vonesat, duke thënë se situata të tilla ndodhin pothuajse gjithmonë gjatë fundjavave. Shumë prej tyre spekulojnë se arsyeja kryesore është se “shteti nuk ka para”.








