fbpx

Arrestohen tre persona në Kumanovë, dyshohen për veprimtari të ekstremizmit të dhunshëm


Këto dyer të thyera janë gjurmët e aksionit policorë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Kumanovë. Policia arrestoi tre shtetas nën dyshimit për veprimtari të ekstremizmit të dhunshëm. Sipas burimeve ende të pakonfirmuara të hetuesisë, për disa muaj është gjurmuar kjo celulë, siç e quajnë terroriste, ndërkaq janë gjetur edhe armë e lëndë shpërthyese. Jo zyrtarisht, dyshohej se përgatitej një sulm detonatorësh. Nga Ministria e Brendshme thonë se aksioni u zhvillua nga Njësiti anti-terror, sipas koordinimit të inteligjencës ndërkombëtare në luftën kundër organizatave të armatosura terroriste.

Aksioni u zhvillua në disa lokacione të Kumanovës dhe Shkupit. Familjarët shprehen të traumatizuar dhe thonë se djemtë e tyre janë viktimë të rrjetit të organizuar.

Iu thash ai është i imi, ma shkelën djalin para syve të mi. E goditën dhe e shkelën, bile e ka këmbën e thyer. Nipin e kamë të sëmurë i bërë operacion, këtë ma trishtuan. Pse nuk po shkojnë të ata që merren me drogë e alkool, do ta pësojnë në fëmijët e tyre. Kushdo që ka bërë diçka le ta gjejë – u shpreh prindi i njërit nga të arrestuarit.

Në adresën e dytë shtëpia ka qenë e zbrazët, por njësitë e policisë dhe prokurorisë kanë marrë disa prova.

Kanë hy policia ora 5 të mëngjesit, kanë thyer dyert e oborrit dhe bravat e dyerve të shtëpisë. Kanë marrë laptopin, telefonat dhe s’di çfarë tjetër. Kanë kërkuar djalin tim, por ai jeton në Shkup. Djali im ka qenë në burg dhe para një viti ka mbaruar dënimin prej tri vjetësh. U patën nisur për Siri në ISIS, unë bashkë me sigurimin e shtetit i kemi zënë në Turqi dhe i kthyem në Kumanovë – tha prindi i njërit nga të arrestuarit.

Që të tre të arrestuarit, janë riatdhesuar para katër vitesh nga Lindja e Mesme. Në atë kohë këta persona në rrugën drejt Sirisë për t’iu bashkangjitur formacioneve të armatosura të ISIS-it, janë kapur në Turqi dhe pas kthimit në Maqedoni janë dënuar më burg nga tre vite. Prej një viti që janë të lirë, shërbimet e inteligjencës kanë ndjekur ri aktivizimet e tyre në aktivitete të dyshimta.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button