Arrestohet autori i dyshuar për djegien e dy automjeteve të Ambasadës Bullgare në Shkup
Policia e Shkupit ka arrestuar personin e dyshuar për zjarrvënien e qëllimshme në dy automjete zyrtare në pronësi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, menjëherë pas denoncimit të rastit, sot në orën 12:13, janë ndërmarrë masa dhe aktivitete intensive për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Brenda një periudhe të shkurtër kohore, policia ka identifikuar dhe privuar nga liria I.D. (44) nga Shkupi, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale. Ai është ndaluar në stacion policor dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat e mëtejshme hetimore.
Gjatë veprimeve të policisë janë gjetur edhe rrobat që i dyshuari kishte veshur në momentin e kryerjes së veprës, të cilat do të shërbejnë si prova në procedurën hetimore.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se, në koordinim me prokurorin publik kompetent, po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Pas dokumentimit të ngjarjes, ndaj të dyshuarit do të ngrihet kallëzim penal përkatës në procedurë urgjente.







