Kosovë/ Numërimi i votave me postë përmbyllet në mesjavë
Gazetare: Ajnur Bafqari
Kah mesi i javës pritet të përmbyllet procesi i numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga votimi përmes postës në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë. Nga kutitë e numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 69.87% të votave të diasporës, në vend të dytë me 15.15% Lidhja Demokratike e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës deri tani ka marrë 7.82%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 5.19% të votave.
“Synojmë që numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga votimi përmes postës të përmbyllet në mesjavë. Në përgjithësi, nga 85 mijë e 790 pako të tërhequra nga 23 kutitë postare, në procesin e numërimit do të përfshihen 82 mijë e 809 pako të supozuara me fletëvotime”- deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës, njofton se pas këtij procesi pritet të nis numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe ai i votave të personave me nevoja të veçanta.
Sipas të dhënave të KQZ-së, përafërsisht 92 përqind e të gjitha votave janë numëruar. Sipas të dhënave të tanishme, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka fituar në zgjedhjet e 7 qershorit, i merr 51 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës që doli e dyta në zgjedhje, sipas të dhënave të tanishme, ka marrë 23 mandate. Lidhja Demokratike e Kosovës, deri tash i ka të siguruara 19 ulëse. Por, për shkak të votave me postë edhe kësaj partie i rrezikohet ulësja e 19-të nga LVV-ja. Shtatë ulëse i ka siguruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, t’i shpallë më 26 qershor, ndërkaq certifikimin e tyre ta bëjë deri më 6 korrik./ Alsat.mk







