Përplasje e ashpër në Kuvend për Ligjin e Përfaqësimit të Drejtë dhe Adekuat
Gazetar: Zekirja Haxhiu
Debat i ashpër në Kuvend mbi ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat i cili u prezantua në lexim të parë para deputetëve.
Ndërkohë që javën e kaluar edhe përpara dy javësh kur u mbajt për herë të parë sistemi politik ai s’ishte prezent sepse shkoi në Stamboll. Sërish në komisionin juridiko ligjvënës s’ishte prezent. Në lexim të parë herën e fundit javën e kaluar në seancë plenare sërish mungoi. Do i lutem publikisht të qëndrojë këtu sepse përndryshe nuk e di se si do të rrjedhë e gjithë procedura. – Rina Ajdari – Fronti Evropian.
Për fjalë u paraqitën 16 deputetë kryesisht nga opozita shqiptare. Për opozitën ky ligj është i papranueshëm pasi siç shprehen, nuk ka mekanizma mbrojtëse dhe mekanizma ndëshkimi ndërsa mungon dhe shprehja e përkatësisë etnike gjatë punësimeve.
Për të qenë një propozim ligj i suksesshëm, duhet krijuar mekanizma të cilat e garantojnë këtë sukses. Mekanizmi i parë është që përfaqësimi gjatë punësimit të ketë kuota etnike. Në mungesë të kuotave etnike hidhni në kosh plehrash këtë propozim ligj. Gjatë punësimit nëse nuk ka kuotë e cila u garanton komuniteteve që punësimi adekuat të jetë edhe për to, bëhet i pa përdorshëm ky propozim ligj. – Skender Rexhepi – Fronti Evropian.
Po unë jam për merit sistem dhe këtu nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Çdo qytetar duhet doemos të punësohet dhe avancohet sipas diturisë, profesionalizmit dhe integritetit. Administrata shtetërore nuk guxon të jetë një treg etnik dhe partiak sepse institucionet ekzistojnë që ti shërbejnë qytetarët por në të njëjtën kohë duhet doemos të themi edhe një të vërtetë se sistemi i meritokracisë pa shanse të njëjta fillestare, shumë lehtë mund të shndërrohet në paravan për ruajtjen e pabarazisë ekzistuese. – Fatmir Bytyqi – LSDM.
Megjithatë nga shumica garantojnë se ligji parashikon sanksione.
Ligji parasheh masa dhe mekanizma zbatimi. Institucionet publike ndërmarrin masa për të siguruar barazi të plotë dhe efektive në punësim dhe promovim. Formohet një trup koordinues i cili do të monitorojë, do të raportojë rregullisht dhe do të rekomandojë masa për përmirësim. – Bekim Qoku – VLEN.
E para se të fillojë seanca dhe debati kryesor, paraprakisht në komisionin për sistem politik u mbajt dhe debat publik mbi ligjin ku morën fjalë përpilues të ligjit, ekspertë të jashtëm dhe profesorë universitarë. Disa nga vërejtjet në debat ishin që mungon përkatësia etnike, mungojnë sanksionet, u propozua që të rritet periudha e ndëshkimit të kandidatit i cili do të tentojë të manipulojë nga 3 në 6 muaj si dhe zgjerimi i trupit mbikëqyrës me përfaqësues nga Administrata. /Alsat.mk







