Arrestohet ish-kampioni i UFC-së, vetëm 5 ditë pasi humbi titullin

Kjo javë ka qenë vërtet për t’u harruar për luftëtarin nigerian të arteve marciale mikse Israel Adesanja. Pak ditë pasi humbi titullin kampion bote të peshës së mesme ndaj Aleks Pereira (UFC-281), raportohet se Adesanka është arrestuar në aeroportin “John F.Kennedy” në Nju Jork.

Ai u arrestua me akuzën e armëmbatjes pa leje, lajm që konfirmohet nga TMZ. Ish-kampioni i botës donte të kalonte sigurinë duke mbajtur një dorezë hekuri. Adesanja thuhet se u kap nga Departamenti i Policisë pranë zonës së kontrollit në rrugën e tij për në terminalin e “American Airlines”.

Gjithsesi, sipas Tim Simpson, menaxherit të sportistit, luftëtari nuk pati asnjë problem serioz me policinë.

“Ajo dorezë hekuri që përdoret nga gangsterët për të rrahur, iu bë dhuratë sportistit nga një fans, të cilën ai e vendosi në bagazhin e tij. Kur ai mjet iu gjet në aeroport, Izraeli e hoqi shpejt sendin dhe bashkëpunoi me autoritetet. Ai është respektuar në përputhje me rrethanat. Për këtë arsye, çështja u mbyll shpejt dhe sportisti vijoi rrugën për në shtëpinë e tij”, thuhet në deklaratën e Simpsonit.

Në Nju Jork, posedimi i dorezës prej hekuri është i paligjshëm dhe konsiderohet një kundërvajtje e klasit të parë, pavarësisht nëse mbahen në trupin e dikujt ose në çantën e dorës.

LEXO EDHE:

Back to top button