Arrestohet në Turqi presidenti i një klubi nga Maqedonia e Veriut, kapet me mbi 2.5 kg ar të dyshuar për kontrabandë
Presidenti i një klubi futbolli që garon në Ligën e Parë Futbollistike në Maqedoninë e Veriut, është arrestuar në Turqi nën dyshimin për kontrabandë ari, raportojnë mediat turke. Ngjarja ka ndodhur ditë më parë në aksin rrugor Siirt–Batman, ku policia për luftë kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar ka ndaluar një taksi të dyshimtë.
Gjatë kontrollit të pasagjerit me inicialet B.H., i identifikuar si shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe president i klubit, u gjet ar me peshë totale 2 kilogramë e 581 gramë, vlera e të cilave llogaritet rreth 300,000 euro. Kundër B.H. tashmë ka nisur procedura gjyqësore në Turqi, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin e dërgesës së çmuar.








