Arsovska: Shkarkimet dhe emërimet, sipas ligjit

Arsovska: Shkarkimet dhe emërimet, sipas ligjit

Gazetare: Ajnur Bafqari

Procedurat për shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve të rinj në ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit do të realizohen sipas afateve të parapara ligjore. Kështu deklaroi numri një i Qytetit, Danella Arsovska, duke theksuar se drejtuesit e rinj do të duhet të kenë më shumë integritet se paraardhësit e tyre. Pas reagimit të ish drejtorit të Parkingut të Qytetit se nuk i është pranuar dorëheqja, Arsovska mohoi të ketë zvarritje në procedura.

“Sinqerisht nuk kam dëgjuar se kush konkretisht ka komentuar një gjë të tillë. Ka afate ligjore, ka mënyra dhe procedura se në çfarë mënyre e gjithë kjo zhvillohet, besoj se në momentin kur ata janë emëruar kanë qenë dëshmitarë në atë procedurë dhe do të duhej të dinin se cila është procedura edhe për tërheqjen, përkatësisht shkarkimin e tyre, ose në këtë rast siç personi e ka komentuar”, deklaroi Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.

Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja dorëzoi parashtresë në Komisionin Antikorrupsion për emërimin e Marjan Mitovskit në postin e drejtorit të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Marija Miteva nga kjo parti thekson se Danella Arsovska, e ka emëruar atë në dy funksione në kuadër të Qytetit të Shkupit.

“Marjan Mitovski në momentin e emërimit në pozicionin ushtrues detyre drejtor në NP “ Ujësjellësi dhe kanalizimi”Shkup, paralelisht është bartës i një funksioni tjetër, anëtar i bordit drejtues i NP “Rrugë dhe Rrugica” Shkup, dhe me këtë në mënyrë direkte e shkel nenin 44 të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit… Mitovski nuk duhej të emërohet drejtor në NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi” derisa ështëe anëtar në një bord drejtues në një tjetër ndërmarrje publike në Qytetin e Shkupit”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Përplasjet mes VMRO-DPMNE-së dhe Arsovskës pasuan pas shkarkimit të drejtorit të ndërmarrjes publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, për çështjen e tenderit për stacionin e pastrimit të lumit Vardar. Aktualisht, në funksion kanë mbetur vetëm dy drejtorë të ndërmarrjeve publike në kuadër të Qytetit të Shkupit, ai i Ndërmarrjes së Transportit Publik- Shkup dhe ai i Higjienës Komunale. Drejtorët e tjerë u tërhoqën me arsyetimin se ka munguar bashkëpunimi me kryetaren e Qytetit të Shkupit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button