Asnjëri nga liderët shqiptarë nuk u duk në Gostivar

Asnjëri nga liderët shqiptarë nuk u duk në Gostivar. Heshtja e tyre akoma nuk është arsyetuar, por ndryshe nga proceset zgjedhore kur zhvillojnë beteja vota, tani kur qytetarët e Gostivarit kanë nevojë për dalje nga kjo situatë, pothuajse të gjithë liderët janë strukur. Të pyetur nga Alsat pse nuk u qëndroi afër qytetarëve, gati se asnjëri prej tyre nuk u përgjigj, duke përjashtuar kreu e Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela i cili tha se nuk e shfrytëzon këtë fatkeqësi për pikë politike.

Asnjëri nga liderët shqiptarë nuk e ka parë të arsyeshme që të ndan kohë për qytetarët e Gostivarit dhe pacientët e prekur nga epidemia e ujit për pije. Edhe pas katër ditëve, Ali Ahmeti, Bilall Kasami e Izet Mexhiti, Arben Taravari dhe Ziadin Sela e mbyllën kujdesin ndaj qytetarëve të Gostivarit me deklarime nëpër rrjetet sociale apo edhe me heshtje totale, por assesi me prezencën e tyre në Gostivar, aty ku kërkojnë vota çdo cikël zgjedhor.

Pyetje nga Televizioni Alsat M:

– Pas situatës së krijuar në Komunën e Gostivarit, përse nuk e keni parë të arsyeshme të qëndrojë krah banorëve duke i vizituar dhe duke u njohur nga afër me problemin jetik të mungesës së ujit për pije?

– A i keni vizituar personat e helmuar të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, në cilëndo prej klinikave në vend (Shkup ose Gostivar)?

I vetmi që iu përgjigj llogaridhënies ishte kreu i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, partia e të cilit njoftoi se Sela nuk ka shkuar në Gostivar pasi nuk dëshiron që fatkeqësinë e tyre ta shfrytëzon për pikë politike. Por, Sela i kërkoi falje qytetarëve të Gostivarit për një gjë.

Ziadin Sela shfrytëzon rastin t’ju kërkojë ndjesë qytetarëve të Gostivarit që në të kaluarën ua besoj fatin e Gostivarit njerëzve të gabuar që për karrierë e për rejting politik janë të gatshëm të bëjnë këtë që bënë me një qytet të tërë”, thanë nga Lidhja Shqiptare.

Heshtjen nuk e thyen liderët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti që janë në pushtet qendror, ndërsa Gostivari rrethohet nga komunat Tetovë dhe Bogovinë, që gjithashtu drejtohen nga kuadrot e tyre.
Hesht edhe Ali Ahmeti që betejën politike për legjitimitetin e kishte fokusuar në këtë qytet, ndërsa me të njëjtin kuadrot e tij kishin menaxhuar disa mandate.

Për çudi heshtë edhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët. Sot pasardhësi i tij është nga e njëjta parti, ndërsa Taravari ishte në krye të kësaj komune gati dy mandate.

Ndryshe nga kriza me ujin për pije në Gostivar, liderët politik nuk kishin harruar t’i kujtonin dhe të solidarizoheshin me tragjeditë qoftë në shtet, në rajon por edhe në botë, duke mos e lënë anësh këtu as solidarizimin me Ukrainën, Palestinën, sulmet terroriste nëpër botë, tërmetet dhe përmbytjet./Alsat.

LEXO EDHE:

Back to top button