Assesi nuk merren vesh partitë për të zgjedhur Avokatin e Popullit
Assesi nuk merren vesh partitë për të zgjedhur Avokatin e Popullit
Gazetar: Suad Bajrami
Vazhdon ngërçi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit apo kreun e organit që promovon dhe mbron, të drejtat dhe liritë kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve përballë institucioneve shtetërore. Partitë gjashtë muaj nuk mund të merren vesh për pasardhësin e Naser Ziberit, dhe si pasojë e kanë paralizuar punën e institucionit.
VLEN ka propozuar Faton Selamin, megjithatë opozita shqiptare, votat e së cilës nevojiten për shumicën e Badinterit nuk e mbështet dhe kërkon që të gjendet një kandidat i pranueshëm. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi deklaroi se është i gatshëm menjëherë të thirr seancë kuvendore nëse palët merren vesh, në të kundërtën duhet të përdoren mekanizma tjerë.
“Për fat të keq do të duhet të gjejmë alternativa dhe mekanizma tjera institucionale ose të gjejmë zgjidhje, por mendoj se nuk janë shtjerrë të gjitha kapacitetet politike të gjendet kompromis dhe për atë ftoj edhe një herë që këto ditë të ulen dhe të gjendet zgjidhje”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.
Për krizën, dje reaguan edhe punonjësit e Avokatit të Popullit të cilët apeluan të tejkalohet problemi meqë e pamundëson funksionimin, si në aspektin e ushtrimit të kompetencave kushtetuese për promovimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ashtu edhe në përmbushjen e detyrimeve ndaj institucioneve dhe organeve vendase dhe ndërkombëtare.
Ndërkohë, detyrën e Avokatit të Popullit me kompetenca të kufizuara tanimë 6 muaj e kryen zëvendëskryetari Ylber Rufati.
Ai ka kompetenca të nënshkruajë llogarinë e institucionit, të udhëheqë dhe nënshkruajë akte dhe shkresa lidhur me shpenzime të caktuara për programet. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme meqë i autorizuari nuk mundet të nënshkruajë urdhrat për udhëtim dhe kjo ka penguar pjesëmarrjen e të punësuarve në mbi 100 konferenca të ndryshme. Prandaj, nga institucioni insistojnë në kërkesën që kreu i Kuvendit, Afrim Gashi, t’u japë autorizim më të gjerë, derisa të zgjidhet Avokati i ri.
Problem shtesë përbën edhe aspekti financiar i institucionit për çka, ka shkaktuar revoltë te punonjësit për shkak të mosrealizimit të marrëveshjes kolektive. Buxheti, është shkurtuar për 30% apo 45 milionë denarë.
Ndërkohë tre muaj nuk është paguar qiraja për Zyrën Qendrore të Avokatit të Popullit në Shkup e cila në muaj kushton 15 mijë euro. Çmimin për këtë gjendje, krahas punëtorëve e paguajnë dhe qytetarët apo ata që kërkojnë ndihmën e Avokatit të Popullit. Si pasojë e kaosit, vonohet veprimi ndaj lëndëve./ Alsat.mk








