Gjykimin për zjarrin në Koçan – Dëshmitari: Fëmijët ulërinin dhe merrnin frymë nëpër grila
Gjykimin për zjarrin në Koçan - Dëshmitari: Fëmijët ulërinin dhe merrnin frymë nëpër grila
Gazetar: Mihaillo Donev
Dëshmi rrëqethëse në seancën e sotme gjyqësore për tragjedinë e Koçanit. Dejan Nikolov, njëri nga dëshmitarët thotë se natën e kobshme ka qenë brenda bashkë me djalin e tij dhe se pak para shpërthimit të zjarrit ka dalë jashtë, ndërsa në atë moment ka dëgjuar britmat e të rinjve të cilët kërkonin shpëtim duke u ngjitur nëpër grilat e tualetit për të thithur oksigjen dhe për të kërkuar ndihmë. Ai tha se është përpjekur të shpëtojë sa më shumë të rinj duke i dërguar te prona e tij afër diskotekës.
“Filluan të dëgjohen britma nga brenda. I nxora fëmijët, i transferova në pronën time. Dritat u fikën, nis të dalë tym i zi. Kishte britma. Ishte e frikshme! E lidha zorrën, dëgjova zëra nga tualeti i grave. Dritarja ishte me grila. I theva dritaret. Vajzat u kapën për grilat të marrin frymë. Ata bënin dritë nëpërmjet telefonave dhe bërtisnin. I spërkatja me ujë”, tha dëshmitari Dejan Nikolov.
Sipas pronarit të Agjencisë “Rubikon” Aleksandar Nacev, nuk ka pasur obligim ligjor të përgatit plan sigurie, pasi kishte të punësuar tre persona.
“Sot të gjithë përballemi me dhunimin brutal të ligjit për sigurinë private, në mënyrë që disa nga dispozitat e tij të shërbejnë si mbështetje për teorinë e rastit të paraqitur nga ngritësi i akuzës”, u shpreh Aleksandar Nacev, i dyshuar.
Nga ana tjetër, gjatë seancës së sotme, prindërit e viktimave shprehën dyshime në rezultatet e autopsisë. Kërkuan një raport të ri ekspertësh të pavarur për të provuar, siç thonë ata, arsyen e vërtetë të mbytjes së fëmijëve të tyre.
“Gjetja e autopsisë pranon se analiza të tjera toksikologjike duhet të dorëzohen së shpejti. Derisa nuk publikohen dhe dokumentohen analizat e të gjitha analizave toksikologjike, nuk mund të pohohet me siguri se shkaku i vdekjes është vërtetuar plotësisht dhe me saktësi. Kjo do të thotë se gjetja e autopsisë nuk është e plotë dhe ka një bazë për ekspertizë shtesë dhe të pavarur”, theksoi Aleksandar Naunov, prind i një viktime në “Puls”.
Gjyqi për zjarrin Puls vazhdon më 29 dhjetor me dëshmitarë të tjerë./ Alsat.mk








