Atentati ndaj Top-Channel, Rama: Agresioni kriminal kërkon përgjigje nga agjencitë ligjzbatuese

Atentati ndaj Top-Channel, Rama: Agresioni kriminal kërkon përgjigje nga agjencitë ligjzbatuese

“Agresioni kriminal ndaj Top Channel, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese”. Është ky reagimi i Kryeministrit Edi Rama ndaj atentatit që ndodhi pas pak mesnate ndaj ambienteve të Top-Channel, që rezultoi me vrasjen e rojës së sigurisë.

Teksa shpreh ngushëllimet ndaj familjes së të ndjerit, Rama shkruan në rrjetin social Twitter se bashkësia e Top-Channel meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment shqetësues.

“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësuese”, shkruan Rama në Twitter.

Ngjarja është dënuar dhe nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila deklaron se sulmi me armë ndaj Top-Channel dhe vrasja e një personeli të sigurisë, është një ngjarje e rëndë që kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese.

“Solidaritet për TV “Top Channel” dhe ngushëllime familjes Kola. Të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje kriminale!”, tha Nikolla.

Persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri ndaj ambienteve të Top-Channel, duke lënë të vdekur rojen e sigurisë, 60-vjeçarin P.K. /rtsh.al/

LEXO EDHE:

Back to top button