Gazetare: Melihate Rustemi
Mijëra besimtarë mysliman i’u drejtuan sheshit “Skënderbej” në Tiranë për të falur Namazin e Fitër Bajramit duke iu lutur Allahut për pranimin e agjërimit, më shumë paqe e begati. Pas faljes së namazit, besimtarët shkëmbyen urime me njëri-tjetrin, duke ndarë gëzimin e kësaj dite të bekuar. Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe sociale të muajit të Ramazanit.
“Gëzuar Fitër Bajramin! Uroj dhe shpresoj që muaji i Ramazanit të ketë qenë një muaj begatie, mirësie dhe faljeje të madhe. Ky muaj është një shtysë që e përmirëson njeriun, e bën më të dashur dhe më solidar me ata që janë në nevojë. Adhurimet na pastrojnë shpirtërisht dhe na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin. Uroj që ditë më të mira të vijnë për të gjithë dhe për Shqipërinë,” tha Bujar Spahiu,kryetar I komunitetit mysliman në Shqiperi.
Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava në hutben tradicionale bëri thirrje për paqe, solidaritet dhe bashkim. Në mesazhin e tij, Tërnava theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave familjare, ndihmës ndaj nevojtarëve dhe forcimit të unitetit shoqëror. Në fund, myftiu Tërnava kishte një mesazh për politiken:
“Kërkohet domosdoshmërish respekti ndaj pluralizmit dhe pranimi i dallimit në mes individëve, komuniteteve pa asnjë formë dominimi ekonomik, kulturor apo ushtarak. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë urtësi në politikë, për më shumë kulturë dialogu dhe për më shumë ndjenjë përgjegjësie ndaj interesit publik. Historia do të gjykojë jo vetëm për vendimet që janë marrë por edhe momentet kur përgjegjësia shmanget,” deklaroi Naim Tërnava, myfti i Kosovës.
Pas një muaji agjërimi dhe reflektimi, dita e sotme mbledh familjet rreth sofrës së Bajramit. Mesazhet e këtij viti mbeten të qarta: paqe, dashuri dhe vizita tek të afërmit, duke ruajtur traditën që përcillet brez pas brezi. /Alsat.mk








