Autoritetet mbrojnë vendimin për dëbimin e diplomatit rus

Autoritetet mbrojnë vendimin për dëbimin e diplomatit rus nga vendi por vazhdojnë të mos sqarojnë veprimet e diplomatit që çuan në këtë akt. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në një intervistë për Televizionin Kanal 5, tha se Maqedonia nuk është neutrale, dhe se kjo çështje është për shkak të devijimit të personit në fjalë nga praktika e diplomatëve.

 Duam të jemi plotësisht të integruar në familjen euro-atlantike të shteteve dhe popujve. Kjo është konfirmuar me rezolutë në Kuvend në vitin 1993 dhe me konsensus të vërtetuar në 2002 me ratifikimin e marrëveshjes së Uashingtonit. Ne kemi vendim të qartë sovraniteti të jemi pjesë e familjes së NATO-s dhe familjes euro-atlantike. Ne nuk jemi politikisht neutralë dhe as ushtarakisht neutralë. Pozita jonë në skenën ndërkombëtare është ndryshuar tërësisht me anëtarësimin në NATO dhe jemi në aleancë me 29 vende anëtare.- deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Ambasadorit rus Sergej Aleksandroviç Bazdikin, më 14 maj, i është dorëzuar një shënim, sipas të cilit anëtari anonim i misionit diplomatik që ai drejton është shpallur person i padëshiruar dhe ka shtatë ditë për të lëshuar vendin. Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike detyron vendin dërgues të zbatojë vendimin e vendit pranues pa kërkuar domosdoshmërish sqarime.

Alsat kërkoi qëndrim nga Ambasada e Federatës Ruse në vend, e cila nuk ka pasur asnjë reagim pas vendimit të Ministrisë së Jashtme. Ata nuk u përgjigjën në pyetjen se si e shohin vendimin, se kur anëtari i misionit të tyre do ta lëshojë vendin dhe kur do të zëvendësohet nga një diplomat tjetër. VMRO-DPMNE-ja mendon se pushteti duhet të japë sqarime për vendimin.

 Është fakt se kanë probleme me drejtimi e kësaj politike dhe me përshtypjet e përgjithshme që i lejnë si qeveri. Do t’i pyesni ata se pse e morën atë vendim dhe do të duhet të kishin sqarime. Nëse VMRO-DPMNE-ja do të ishte në pushtet, do të mbante përgjegjësi për veprimet që do të miratonte- Kirill Pecakov, VMRO-DPMNE

Disa vende në rajon dhe në Evropë gjatë javëve të fundit ndërmorën aktivitete hetuese për zbulimin e spiunëve rusë, shpallën “persona non grata” dhe dëbuan disa diplomatë nga vendet e tyre.

Fatlume Dervishi

 

LEXO EDHE:

Back to top button