Autoritetet zvicerane vazhdojnë identifikimin e viktimave dhe të plagosurve në tragjedinë në Krans Montana
Autoritetet zvicerane vazhdojnë identifikimin e viktimave dhe të plagosurve në tragjedinë në Krans Montana
Shtetasi i Maqedonisë së Veriut Stiven Ivanovski, me vendbanim në Zvicër është në mesin e viktimave në tragjedinë e rëndë në qendrën e skijimit Krans Montana. Lajmi u bë i ditur nga të afërmit e 16 vjeçarit, për të cilin familja prej ditësh kishte alarmuar se ndodhej brenda klubit ku shpërtheu zjarri dhe për të nuk kishte asnjë informacion. Sipas familjarëve identifikimi i të riut është bërë përmes ADN-së.Ministria e Punëve të Jashtme pret konfirmimin e autoriteteve zvicerane.
Ndërkohë hetuesit zviceranë vazhdojnë përpjekjet për të identifikuar viktimat dhe të plagosurit, ndërsa shkalla e lartë e djegieve ka vështirësuar procesin. Familjet po përballen me pritje të tmerrshme për të dëgjuar lajme për të afërmit e tyre. Deri më tani trupat e 4 shtetasve të Zvicrës të moshës nga 16 deri në 21 vjeçare ia janë dorëzuar familjes. Ndërkohë nga të lënduarit e identifikuar, shumica janë shtetas të Zvicrës, Francës e Italisë, ndërsa në mesin e tyre janë edhe 4 shtetas serb.
“Së pari, në lidhje me 119 personat e plagosur, dhe bazuar në elementët që kemi mbledhur, 113 janë identifikuar zyrtarisht. Procesi i identifikimit formal dhe përfundimtar është ende në proces për gjashtë prej tyre. Midis të plagosurve që janë identifikuar zyrtarisht, 71 shtetas zviceranë, 14 shtetas francezë, 11 italianë, katër serbë, një boshnjak, një belg, një nga Luksemburgu, një polak dhe një portugez”, tha Frederik Gisler, komisar policie.
Hetuesit thanë se besojnë se qirinjtë vezullues mbi shishet e shampanjës shkaktuan zjarrin fatal, në momentin që iu afruan tavanit të barit të mbushur me njerëz. Prokurorja e Përgjithshme e kantonit Valais, tha se hetimi do të përqendrohet veçanërisht në punën e barit, materialet e përdorura, lejet e funksionimit, masat e sigurisë, aparatet për fikjen e zjarrit e daljet emergjente.
“Hetimi do të përqendrohet sidomos në punën e brenda barit, materialet e përdorura, lejet e funksionimit, masat e sigurisë, me të cilat nënkuptoj aparatet kundër zjarrit. Numri i personave të pranishëm atë mbrëmje, numri i personave që bari është i autorizuar të akomodojë, pajisjet në ambiente, rrugët e evakuimit, si dhe aksesin”, tha Beatrice Pilloud, Prokurore e Përgjithshme e kantonit Valais.
Procedura hetimore është hapur ndaj dy pronarëve të klubit. Ata akuzohen për vrasje dhe shkaktim të zjarrit nga pakujdesia. Zjarri gjatë festimeve të Vitit të Ri mori jetën e mbi 40 personave, ndërsa u lënduan 119 të tjerë. /Alsat.mk








