Avokati i Popullit: Kushtet në burgjet e vendit, çnjerëzore

Avokati i Popullit: Kushtet në burgjet e vendit, çnjerëzore

Gazetar: Mefail Ismaili

Gjendja nëpër burgje është jashtë çdo norme humane, ndërsa pushteti bën vetëm përpjekje deklarative, por jo edhe thelbësore. Kështu konstaton Avokati i Popullit Naser Zibveri, i cili në prezantimin e raportit për kontrollet e bëra në vitin 2021, kanë nxjerrë konkluzione se në shtëpitë ndëshkuese përmirësuese në vend, problem kyç mbetet mbipopullimi i të dënuarve, kushtet e papërshtatshme si dhe shumë probleme të tjera, shkruan Alsat.

Gjendja më kritike është në Burgun e Idrizovës në të cilin ndodhen numri më i madh i të burgosurve, mbi 500 persona.

“Gjatë mbikëqyrjes është konstatuar se në disa hapësira prej 16m2 vendosen nga 16 persona, gjegjësisht në 8 krevat vendosen 16 persona. Në një hapësirë tjetër prej 19 m2 janë vendosur 12 persona. Në të shumtën e rasteve të këtyre hapësirave kushtet për vendosje janë nën nivel… Situata e rëndë është edhe në Burgun e Shkupit ku janë vendosur personat në paraburgim”, tha Naser Ziberi, Avokat i popullit.

Ziberi thotë se kushtet më të mira në shtet janë në Burgun e Tetovës. Ai shton se, të burgosurit druajnë të paraqesin abuzimet dhe trajtimin e ashpër, ndërsa të punësuarit e Burgjeve nga ana tjetër druajnë të denoncojnë rastet kur dirigjohen nga njerëz të pushtetshëm për të bërë veprime të caktuara. Ai thotë se jozyrtarisht ka informata për çmimet për futjen e gjërave të paligjshme nëpër burgje.

“Aksioni tregoi, rezultoi me kapjen e shumë mjeteve të palejueshme, që nga armët, telefonat e kështu me radhë. Ministria e Brendshëm, sipas informacioneve të mija po ua them juve, të drejtpërdrejta nga Ministri i Punëve të Brendshme se procesuohen paraqitje në prokurorinë përkatëse. Informatat tona jozyrtare thonë se varësisht nga Burgu i caktuar, kuptohet në paraburgim ai çmim është shumë më i lart, por sillet nga 200 deri në 500 euro për futjen e një aparati telefonik”, u shpreh Naser Ziberi, Avokat i popullit.

I pyetur për zgjidhjen e problemeve që kanë disa nga të burgosurit e grupit të Kumanovës në Burgun e Shutkës dhe fillimin e zbatimit të të drejtave të tyre, Avokati i popullit Naser Ziberi tha se ka bërë rekomandim tek drejtoria e Burgjeve që këto të burgosur të transferohen në Burgun e Idrizovës, ku mund ti gëzojnë të drejtat e tyre. Ai thotë se rekomandimi është pranuar nga Drejtoria, por ende nuk është zbatuar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button