Baerbock: Bota i ka kërkuar Putinit të mos bëjë kërcënime bërthamore

Baerbock: Bota i ka kërkuar Putinit të mos bëjë kërcënime bërthamore

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se komuniteti global i ka kërkuar vazhdimisht presidentit rus, Vladimir Putin, që të mos i përdorë kërcënimet bërthamore në përplasjen e tij me Perëndimin për luftën në Ukrainë.

Duke folur pas një vizitë në Turqi, Baerbock tha gjithashtu se vendimi i Putinit për të pezulluar pjesëmarrjen në traktatin me Shtetet e Bashkuara që kufizon arsenalin strategjik bërthamor të të dyja palëve, nënvizon rëndësinë e lëvizjeve drejt çarmatimit bërthamor.

Në fjalimin e 21 shkurtit drejtuar kombit, Putini tha se është “i detyruar të njoftoj se Rusia është duke e pezulluar pjesëmarrjen në traktatin për armët strategjike”.

Ai ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka kërkuar Rusisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e pjesëmarrjes në këtë traktat.

I ashtuquajturi START-i i Ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021.

I nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare./REL

LEXO EDHE:

Back to top button