Balfin Real Estate nënshkruan marrëveshje me kompaninë austriake Beacon Invest

Balfin Real Estate nënshkruan marrëveshje me kompaninë austriake Beacon Invest

Balfin Real Estate zgjeron tregun e operimit jashtë kufijve të Shqipërisë falë një marrëveshjeje bashkëpunimi të nënshkruar pak kohë më parë në Vjenë me kompaninë prestigjioze austriake në fushën e pasurive të patundshme Beacon Invest. Marrëveshja i hap rrugën klientëve dhe investitorëve austriakë që janë të interesuar për të investuar në projektet turistike në bregdetin shqiptar si Green Coast dhe Vlora Marina.  

Të gjithë të interesuarit do të njihen më nga afër me detajet e projekteve në fjalë dhe me benefitet që do të kenë nga investimi në bregdetin shqiptar përmes një materiali të plotë prezantues që ekspertë të Beacon do vënë në dispozicion të tyre.

Beacon Invest është një kompani prestigjioze me një portofol të pasur pronash që operon prej vitesh në tregun austriak të pasurive të paluajtshme duke garantuar një shërbim cilësor dhe një investim të sigurt për klientelën e saj.

Me një vizion të qartë dhe synimin për të qenë të parët në treg , Beacon Invest është fokusuar kryesisht në blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme ekskluzive për investitorë të fuqishëm. Misioni i kompanisë është filtrimi i projekteve premium dhe investimeve në prona që garantojnë tek blerësi kthim të investimit të shpejtë. Beacon Invest ka krijuar një rrjet të gjerë klientësh përmes transaksioneve të sigurta, duke ndërtuar gjithçka bazuar në besim.

Marrëveshja me Balfin Real Estate erdhi si një kërkesë nga kompania austriake pas interesit gjithnjë e në rritje të investitorëve austriakë për të qenë prezent në tregun shqiptar me investime kryesisht në zonën bregdetare.

Në nëntor, një grup investitorësh austriakë vizituan në terren projektet Vlora Marina dhe Green Coast, ku u njohënkonkretisht me potencialin e zonës ku ato shtrihen, dhe gjithë mundësitë që ofrojnë për një investim fitimprurës.

Edhe ky bashkëpunim vjen në kuadër të strategjisë së Balfin Real Estate për t’u zgjeruar duke konkurruar bindshëm në tregjet ndërkombëtare. Kjo marrëveshje shënon një tjetër sukses për kompaninë, e cila që prej themelimit në 2018 e deri më sot e ka zgjeruar vazhdimisht portofolin e pronave.

Sot, Balfin Real Estate disponon një portofol pronash ekskluzive prej 900 milionë euro dhe të ardhura vjetore mbi 150 milionë euro. Balfin Real Estate, përveçse me një rrjet të konsiderueshëm në Shqipëri, është prezent në shtete si Zvicër, Kosovë, Austri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedoninë e Veriut. Falë vizionit të kompanisë për të ofruar më të mirën në industrinë e pasurive të paluajtshme në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar, këto të dhëna janë rritur vit pas viti. Në planet e saj, Balfin Real Estate synon të zgjerojë hartën e prezencës së saj në tregje të reja ndërkombëtare.

LEXO EDHE:

Back to top button