“Ballkani i Hapur”/ Krejt çka u tha sot në Ohër
“Ballkani i Hapur”/ Krejt çka u tha sot në Ohër
Gazetar: Lluka Andreev
Sot në Ohër mbahet Samiti i iniciativës rajonale i njohur si “Ballkani i Hapur”. Deri më tani janë anëtarë vetëm Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia, me tendencë për t’u anëtarësuar edhe Mali i Zi dhe Bosnja. Përfaqësuesit e shteteve anëtare aktuale theksuan se përmes këtij bashkëpunimi janë tejkaluar pothuajse të gjitha çështjet e hapura ndërmjet tyre dhe është hapur mundësia për bashkëpunim të ngushtë. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së Gabriel Eskobar theksoi se Ballkani i Hapur duhet të mbetet një projekt ekonomik dhe jo politik.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në Samitin e sotëm kërkoi mbështetje nga Bashkimi Evropian për nismën “Ballkani i Hapur”, duke kërkuar që të mos lihet boshllëk gjeostrategjik në rajon, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.
“Vendi i çdo shteti të rajonit është në Bashkimin Evropian, ne po ecim në atë rrugë dhe po evropianizohemi së bashku. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë, kur ka progres në një vend, është një nxitje për përparim edhe në vendet e tjera. Është evropiane të ndihmojmë njëri-tjetrin, jo të frenojmë dhe bllokojmë”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, “Ballkani i Hapur” është një mekanizëm i mirë për përballimin e krizave dhe një shans për zgjidhjen e problemeve. Rama theksoi se nuk duhet të bëjmë më stres për “dasmën” e ardhshme, siç e quajti Samitin e BE-së në qershor.
“Dy fjalë për BE-në për dasmën e radhës, se sa herë afron ky Këshilli Evropian është njësoj si të bëhemi gati për dasmë. Unë e kam thënë dhe më parë, Shqipëria nuk do përgatitet më për dasmë, do vishet me rroba të rastit. Në pritje të krushqve se nuk vjen dhëndri në derë. Ballkani i Hapur është burrë, Europa e Bashkuar është nusja. Kjo është keq për ne se po të ishim nusja nuk do ngelnim në derë. Ne e kemi shumë të qartë rrugën tonë. Ne do ta ndërtojmë Europën këtu”, u shpreh Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë ALB.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, theksoi se Serbia nuk ka pothuajse asnjë çështje të hapur me Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe, siç vlerësoi ai, “Ballkani i Hapur” është i pandalshëm, megjithëse u konsiderua i dështuar.
“Për atë nëse do t’i hapin apo jo negociatat me ne, varet nga dikush tjetër apo nëse dielli do të na ngrohë atë ditë. Ajo që varet gjithmonë nga ne është se si do të jetojmë me fqinjët tanë, nëse do t’i ndihmojmë fqinjët tanë dhe nëse ata do të na ndihmojnë neve”, tha Aleksandar Vuçiq – President i Serbisë.
Mbështetje për idenë erdhi edhe nga njerëzit e parë të Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, të cilët morën pjesë si vëzhgues”.
“Kur ne të gjashtë të ulemi dhe të flasim për nevojat e qytetarëve, jam i sigurt se mesazhi nga Brukseli do të jetë ndryshe, madje edhe ata që janë skeptikë dhe ngadalësojnë Ballkanin Perëndimor për të përshpejtuar procesin e integrimit, do ta kuptojnë se e kanë gabim”, theksoi Dritan Abazoviç – Kryeministër i Malit të Zi.
“Kam besim se ‘Ballkani i Hapur’ mund të nxisë potencialin ekonomik të rajonit. Por kam edhe më shumë besim se Bosnja herët a vonë do të bëhet anëtare e Ballkanit të Hapur”, tha ndër të tjera Zoran Tegeltija – Kryetar i Këshillit të Ministrave të BeH.
Zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së kanë theksuar se fokusi i “Ballkanit të Hapur” është vetëm tek ekonomia.
“Unë inkurajoj që kjo nismë të mbetet ekonomike, ky nuk është projekt politik, por projekt i rëndësishëm ekonomik dhe kështu duhet të mbetet, të fokusohemi në krijimin e mundësive”, pohoi Gabriel Eskobar – Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
“Pyetja kryesore për njerëzit është kur do të jetojnë si në Bashkimin Evropian, me të njëjtat mundësi si njerëzit në Bashkim? Ky është integrimi i vërtetë dhe fillon me ekonominë”, tha Oliver Varhei – Komisioner i BE-së për Zgjerimin./ Alsat.mk