Ballkani i Hapur, lehtësime në qarkullimin e mallrave

Vonesat në zbatimin konkret të premtimeve të nismës “Ballkani i hapur” më dëshpërojnë, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq i cili ishte nikoqir i takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe zv/kryeministrin për çështje Evropiane Nikolla Dimitrov. Vuçiq njoftoi se së shpejti tre vendet pjesëmarrëse të Ballkanit të hapur do të formojnë këshillin e zbatimit. Për dhjetra ditë, një grup i posaçëm do të hartojë lehtësimet e mundshme të cilat do të përkthehen në ligje për qarkullimin më të lirë të mallrave mes vendeve. Palët premtuan edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve për një periudhë relativisht të shpejtë.

 

 “Kjo është arsyeja që duhet të kemi një kontroll të plotë për të gjitha gjërat, do të punojmë të shtuna dhe të diela, të gjitha këto ditë, sepse ekonomitë tona varen nga kjo, në qoftë se do të jemi në gjendje të japim rezultatet më të mira për prodhuesit tanë bujqësor, për fabrikat tona, për punonjësit tanë, për kompanitë tona. Ramë po ashtu dakord edhe për bashkëpunimin të mëtejshëm sepse duam që njerëzit tanë për një vit ose një vit e gjysmë të lëvizin pa asnjë lloj kufiri nga Beogradi në Tiranë, nga Tirana në Shkup apo nga Tirana në Nish. Askush të mos ndalojë askënd në kufij.”- deklaroi Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Heqja e procedurave të komplikuara burokratike për blerjen e pasurive të patundshme në vendet reciproke, memorandum për njohjet reciproke të lejeve të punës, si dhe qarkullim i lirë i të huajve si krah pune, janë disa nga hapat e radhës që u premtuan.

Kryeministri Shqiptar Edi Rama tashmë sheh reflektim të energjisë pozitive mes qytetarëve të rajonit si rezultate i Ballkanit të hapur.

 “Gjatë tetë muajve të fundit, fluksi i turistëve në Shqipëri nga Serbia është rritur 63%, fluksi i turistëve në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut është rritur 22%. Janë shifra që janë rezultat i drejtpërdrejtë në ekonomi përveç se në procesin e rritjes së energjive pozitive të Ballkanit të hapur në rajon dhe jam i bindur që këto shifra do të vinë vetëm duke u rritur. Në dhjetor në Tiranë jemi angazhuar që të japim rezultate konkrete dhe nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, për distributorët dhe për fermerët.”- pohoi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Kryeministri Zaev ditë më parë anuloi pjesëmarrjen në këtë takim për shkak të paralajmërimit për dorëheqje. Por zv/kryeministri Dimitrov tha se pavarësisht zhvillimeve të brendshme politike, vendi mbetet i përkushtuar për bashkëpunim të mirë rajonal.

 “Shumica e qytetarëve duan të ecin përpara dhe të ecësh përpara mes të tjerave nënkupton marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal. Vullneti i qytetarëve është i tillë që kushdo të vijë në detyrë do të ecë përpara çka nënkupton që evropianizimi i vendit, forcimi i demokracisë, forcimi i rritjes ekonomike që kërkon bashkëpunim më të ngushtë me fqinjët tanë. Kështu që nuk shoh ndonjë rrezik. Është me rëndësi që vendi im të mbetet pjesë e kësaj nisme.”- tha ikolla Dimitrov, zv/kryeministër për çështje Evropiane.

Pjesëmarrësit përsëri shpenzuan mjaft kohë para gazetarëve për të sqaruan rëndësinë dhe përfitimet nga kyçja në këtë bashkëpunim. Tre vendet pjesëmarrëse thonë se nisma mbetet e hapur edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pjesë e Ballkanit të hapur nuk kanë pranuar të jenë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button