Banorët e Gostivarit kanë përdorur ujë të ndotur me baktere, 50 herë më të lartë se niveli i lejuar

Gazetar: Suad Bajrami

Prokuroria e Gostvarit ka lëshuar urdhër për hetim kundër tre personave përgjegjës për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar pasi analizat kanë treguar ndotje enorme me fekale, të cilin e kanë përdorur dhe konsumuar qytetarët. Të dyshuar janë drejtoresha e Ujësjellësit të Gostivarit, Artana Asani, udhëheqësi për Çështje Teknike, Leon Nuredini dhe udhëheqësi i Sektorit për Ujë, Kanalizim dhe Punë Ndërtimore Vadedin Dervishi. Të tre, akuzohen për “Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës të shkaktuara me veprime të ndotjes së ujit për pije”, sipas nenit 234 pika 2 në lidhje me nenin 219 për çka parashikohet dënim me burg prej së paku 4 vite.

Incidenti sipas organit të akuzës e ka zanafillën më 25 qershor kur përgjegjësit e Ujësjellësit kanë dhënë urdhër që të vendosen tre pompa për të thithur ujë nga një kanal me ujë sipërfaqësor i cili ka qenë i ndotur me fekale. Pompat kanë furnizuar me ujin e ndotur rezervuarin e tejmbushjes i cili më pas është lëshuar në sistemin e ujësjellësit nga i cili më pas janë furnizuar qytetarët.

Pas paraqitjeve të rasteve të para të qytetarëve me simptoma helmimi institucionet kanë kryer kontroll në vendngjarje, ndërsa më 16 korrik apo 22 ditë më vonë, kanë konstatuar se dy prej tre pompave kanë qenë në përdorim.

Janë marrë mostra, ndërsa rezultati i analizave është alarmant. Tek uji për pije i ujësjellësit, është konstatuar prani e baktereve 50 herë më e lartë se niveli i lejuar.

“Është konstatuar se uji është shumë i ndodhur dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim për shkak të pranisë së baktereve koliforme në vlerë prej 2419,6 njësi formuese të kolonive (shkurtesa CFU) në 100 mililitra, ndërsa sasia maksimale e lejuar është 50 njësi. Në mostrat e marra nga burimi është konstatuar se uji ka numër të rritur të baktereve aerobe mezofile, si dhe prani të baktereve koliforme. Sipas vlerave, numri i baktereve koliforme duhet të ketë 0 njësi, por në mostrat e ujit janë gjetur 39 njësi në 100 mililitra”, shtojnë nga Prokuroria Themelore Publike.

Me urdhër të Prokurorisë është marrë mostër edhe në një çezmë në rrugën “JNA” në Gostivar ku është konstatuar se në ujë ka prani të lartë të klorit me përqendrim mbi dy herë më të lartë se sasia e lejuar. Dyshimet janë se është hedhur klor për të dezinfektuar ujin.

“Është konstatuar përqendrim i klorit rezidual prej 1,1 mg për litër, i cili paraqet devijim nga vlera maksimale e lejuar sipas rregullores në fuqi. Sipas kësaj rregullore, përqendrimi duhet të jetë në interval 0,2 deri në 0,3 mg për litër, ndërsa në asnjë rast nuk duhet të kalojë 0,5 mg për litër”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Duke e pasur parasysh se ndryshimet nga ndotja nuk munden lehtë të mënjanohen, prokurori ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet që japin dyshim të bazuar se është kryer vepra penale “Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës të shkaktuara me veprime të ndotjes së ujit për pije”.

LEXO EDHE:

Back to top button