Banorët e Shipkovicës të lënë pa mbrojtje pas rrëshqitjes së dheut

Banorët e Shipkovicës të lënë pa mbrojtje pas rrëshqitjes së dheut

 Gazetar: Bashkim Sulejmani

Një javë pas rrëshqitjes së dheut në fshatin Shipkovicë të Tetovës, me çrast rrezikohen 17 banorë të katër shtëpive, autoritetet nuk kanë ndërmarrë kurrfarë mase.

Banorët thonë se njoftimi i vetëm i komunës ishte se të enjten këtë rajon do ta vizitoj kreu i komunës dhe asgjë më shumë.

Komuna nuk ka siguruar banim të përkohshëm për familjet e rrezikuara, ndërsa  SPB e Tetovës, nuk ka vënë shiritin mbrojtës për ta ndaluar kalimin në këtë vend.

“Kjo ka ndodhur që natën e mërkurë të javës së shkuar. Ata që na nxorën nga shtëpia, ishin dje dhe na thanë që kanë mbajtur mbledhje dhe na thanë që të enjten do vjen edhe kreu i komunës, ishte kryqi i kuq dhe menaxhimi me kriza. Deri më tani nuk ka asnjë reagim, na thanë të enjten do marrin vendim. Ne kemi qenë disa net te vëllai po ngushtë jemi aty s`ka vend për gjithë”, tha Mumin Velia, pronar i shtëpisë.

Nga komuna e Tetovës premtojnë se së shpejti do të merren masa.

“Ditëve në vazhdim sigurisht do të kemi edhe hapa konkret, ndërsa nga sot, menjëherë do i kontaktojmë dhe do marrim masat e nevojshme”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.

Në terren nuk është bërë ende as vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga rrëshqitja e dheut në Shipkovicë. Ndërkohë komuna nuk ka kompensuar dëmet e vërshimeve të fundit në rajonin e Tetovës, edhe përkundër premtimit se dëmshpërblimi do të realizohet për disa ditë.

Masa e vetme që është ndërmarrë nga komuna e Tetovës, është vetëm ajo e pastrimit të nënkalimit në pjesën e poshtme të Tetovës, por edhe për këtë vend, nuk është vendosur ende pompa për pastrimin e ujit në rast të reshjeve të shiut siç premtoi javë më parë, drejtori i NPK Sharri./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button