Festat e fundvitit/ Hotelierët: Objektet janë të gatshme dhe të sigurta

Festat e fundvitit/ Hotelierët: Objektet janë të gatshme dhe të sigurta

Gazetar: Avni Tahiri

Festat e fundvitit po afrohen dhe me të ka filluar edhe interesimi për prenotime në objektet gastronomike, në shumë restorante dhe salla eventesh që tashmë kanë filluar të mbushin kapacitetet e tyre.

Krahas atmosferës festive, vëmendje e madhe nga ana e prenotuesve po i kushtohet edhe aspektit të sigurisë dhe plotësimit të kushteve për raste emergjente.  Kapacitetet e para që mbushen në prag të festave të fundvitit janë hotelet e rajonit të Strugës, Ohrit, Kodra e Diellit në Tetovë, Mavrovë dhe restorantet malore në vendet e tjera turistike të vendit.

Sipas Kryetarit të Shoqatës së Hotelierëve për rajonin e Strugës dhe Ohrit,  Kërste Blazheski, pas tragjedisë së Koçanit, janë shtuar kontrollet nga ana e inspektorëve dhe për momentin sipas tij, hotelet dhe restorantet më të mëdha të këtij rajoni i plotësojnë kushtet për ngjarje më të mëdha.

“Pas incidentit në Koçan, kishim kontrolle të shumta dhe mund të thuhet se hotelet janë të gatshëm në një nivel, dhe ajo që nëse ka munguar diku sa i përket hidrantëve apo pajisje të ndryshme veç më janë rregulluar dhe siç e kaluam sezonin veror që nuk kishim incidente të paraqitura nga asnjë hotel apo restorant dhe mendoj se të gjitha hotelet janë të gatshëm për pritje më të mëdha dhe mund të them se edhe gjatë verës kishim shumë dasma në regjionin e Ohrit dhe Strugës dhe nuk kishim pra asnjë incident dhe mund të themi se edhe hotelet edhe restorantet e mëdha janë të gatshëm”, tha Kërste Blazheski – Kryetar i Shoqatës së Hotelierëve të Maqedonisë së Veriut.

Në pyetjen se a po ushtrohen kontrolle për të mos lejuar përsëritjen e një rasti të ngjashëm me atë të Koçanit, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski tha se Ministria e Punëve të Brendshme, po punon në mënyrë të vazhdueshme në këtë drejtim.

“A punoni në drejtimin e kontrolleve në objektet e shërbimit të hotelerisë së bashku me inspektoret që të mos përsëritët rasti i  Kocanit? Po, punojmë në vazhdueshmëri dhe ka rezultat, opinioni e di atë. Tani para Vitit të Ri a ka kontrolle? Punojmë në atë drejtim si deri tani edhe në të ardhmen dhe është punë e vazhdueshme e MPB-së”, u shpreh Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Sipas shoqatave të Hotelierëve, kapacitetet e prenotimeve për festat e fundvitit janë drejt përfundimit në shumë prej objekteve gastronomike në vend, veçanërisht në rajonin e Strugës dhe Ohrit, ku interesi i qytetarëve dhe turistëve mbetet i lartë. Ndërkohë, më të interesuar këtë vit janë shtetasit e vendeve fqinje.

LEXO EDHE:

Back to top button