Gashi kërkon që në Kuvend të formohet grup pune për Kodin e ri zgjedhor

Gashi kërkon që në Kuvend të formohet grup pune për Kodin e ri zgjedhor

Gazetare: Fatlume Dervishi

Deri nga java e ardhshme duhet të definohet formati i grupit të punës për një Kod të ri zgjedhor. Në takim me gazetarët kreu i Kuvendit Afrim Gashi tha se ka insistuar që grupi i punës të punojë në Kuvend kurse përbërja e tij mbetet të definohet ndërkohë. Në të do të ketë përfaqësues të partive politike por nuk është akoma e qartë nëse do të ketë edhe ekspertë.

Qeveria ka njoftuar Kuvendin se e ka hapur temën e Kodit të ri zgjedhor dhe se një grup pune nën kompetenca të qeverisë ka definuar një draft version. Përmbajtja e draft versionit nuk dihet akoma.

Një draft u përpilua rreth dy vite më parë, por nuk e pa kurrë dritën. Ekspertët dhe partitë politike në atë kohë ranë dakord për një version i cili duhej të dorëzohej në Kuvend por kjo nuk ndodhi asnjëherë.

Është e paqartë nëse grupi i ri i punës në Kuvend do të punojë mbi draftin ekzistues të grupit të punës prej para dy vitesh ose do të nisin punën nga zero.

Gashi shpreh gatishmërinë që të drejtojë personalisht grupin e punës. Thotë se këtë e bën për t’i dhënë një shtytje të re procesit dhe se sheh vullnet të sinqertë te deputetët që të punojnë për një Kod të ri zgjedhor.

Kodi i ri zgjedhor është rekomandim i ODIHR-së por edhe detyrim në Agjendën e reformave.

Detyrim është edhe ndryshimi i Kodit penal, i cili, Gashi thotë se shpreson që do të jetë para deputetëve deri në fund të këtij muaji. Bëhet fjalë për rekomandimin e Gjykatës Kushtetuese që të rishikohen ndryshimet problematike të nenit 353 që vite më parë ulën dënimin për funksionarët gjatë keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gashi nuk ka informacione shtesë nga pushteti ekzekutiv për ligjet e tjera reformuese që duhet të miratohen si pjesë e agjendës së reformave në sektorin e drejtësisë.

LEXO EDHE:

Back to top button