Banorët e Shutkës ankohen për mungesën e kushteve bazë të jetesës

Një ndër komunat më të ngarkuara të kryeqytetit, në 7 km2 jetojnë mbi 40 mijë banorë. Rrugët e Shuto Orizares i ngjasojnë kratereve të vullkaneve. Nëpër këtë asfalt të mbetur që nga vitet e largëta kalojnë çdo ditë banorët e zonës, të cilët kanë ankesa të shumta për autoritetet. Por, ata thonë se këtë rrugë me pluhur apo me baltë pas shiut, e kalojnë një herë në katër vite autoritetet e pushtetit qendror. Kryeministri Zaev sot erdhi për t’i vizituar, përkatësisht për të promovuar nisjet e një projekti kapital për kanalizimin, gjysma e të cilave mjete janë donacion.

 “Ta shohim deri ku do të shkojë, mos të jetë vetëm përpara zgjedhjeve, të jenë investime të vazhdueshme. Edhe Kryeministri duhet çdo komunë të vizitojë të paktën një herë në muaj edhe ne jemi pjesë e këtij populli. Nuk kemi disa gjëra, le të fillohet me kanalizimin por na duhen shumëçka tjetër.”

 “Asgjë nuk është investuar në Shutkë, ama bash asgjë nuk është sjellë! Hajde le të thonë çfarë kanë bërë për neve, rrugët tash filluan të meremetohen pas dy dekadave! Edhe kjo që po shihni deri në fund të rrugës kryesore i ka vetëm 500 metra dhe pastaj, tmerr. Në Shutkë edhe të rinjtë po ikin në perëndim, mbetëm vetëm ne pensionistët.”

 “Çfarë të të them vëlla, nga viti 63 jetojmë këtu dhe kanalizim fekal ende nuk kemi në lagjen tonë, kjo është e tëra. Ashtu u gjendem disi duke gërryer vetë privatisht një gyp për tu lidhur në kanalin kryesor.

 Ankesat e shumta të banorëve të Shutkës për mungesë të investimeve infrastrukturore, u përpoq ti zbusë kreu i Komunës Kurto Dudush, i cili, jo zyrtarisht do të kandidojë edhe për një mandat.

“Sot mund të them se me realizimin e këtij projekti rrumbullakësojmë mbi 90% të programit zgjedhore, mbi 20 rrugë të rikonstruuara, u sollën plane urbanistike për ndërtim të qendrave për të rinj e sport.”

Vlera e projektit prej 72,6 milion denarë do të përfshijë ndërtimin e kanalizimit atmosferik për katër rrugët e kësaj komune, një pjesë e buxhetit, gjegjësisht 35 milionë denarë u sigurua si grant nga mjetet që koncesioneri i aeroporteve në vendin tonë TAV, i kishte paraparë për ndërtimin e kargo-aeroportit në afërsi të Shtipit. Pjesa tjetër e mjeteve janë siguruar nga Byroja për Zhvillim Rajonal, thonë autoritetet.

 Përgatiti: Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button