Banorët e Tetovës kërkojnë kushte më të mira për jetë

Banorët e Tetovës kërkojnë kushte më të mira për jetë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Zgjidhja e problemit me ujin për pijë, qentë endacak, komunikacioni, mbeturinat dhe më shumë vende pune për të rinjtë. Këto janë disa nga pritjet e banorëve nga përbërja e ardhshme e këshillit komunal. Ata kërkojnë vetëdijesimin e partive politike, dhe kthimin e tyre kah popullata, me shpresë se më pak do të premtojnë e më shumë do të punojnë.

“Shpresojmë të bëhet më mirë, shpresojmë, të ndryshoj diçka për të mirën e gjithë qytetarëve të Tetovës, se Tetova meriton më mirë. Këshilli komuna, krejt duhet të fokusohen në kërkesat kryesore të qytetarëve. Rrugët e pastra, trotuaret e rregulluara për të mirë të nxënësve, ujësjellësi të bëhet, siguria e qytetit dhe qytetarëve. Besoj se duhet të bëjnë diçka më mirë se qytetarët janë lodhur ma me premtime që nuk janë realizuar dhe tanimë shpresojmë të realizohen dhe faktori politik të vetëdijesohet më”, tha një banor i Tetovës.

“Fat që shpresa s`na ka vdekur ende. Deri në fund shpresojmë se do bëhet diçka më mirë, dashtë Zoti. Tetova është tregim i gjatë, fillimisht duhet higjiena, parkingjet, bashkëjetesa. Shpresa vdes e fundit, shpresoj, dashtë Zoti e mbërrijmë bashkë se kemi gjenerata të reja që presin të bëhet më mirë”, shtoi një banore.

“Më mirë të bëhet në drejtim të eliminimit të problemeve që ka komuna, me mbeturinat, qentë endacakë, mjedisin jetësorë, këto. Me një organizim më të mirë kam shpresë se do të rregullohen”, tha një tjetër banor.

“Presim diçka më mirë. Kjo deri më tani që është bërë s’është e mjaftueshme. Duhet angazhim më të madh, sidomos me qent endacakë. Në mëngjes gati e kafshuan një grua tek tregu. Më e rëndësishme uji të bëhet, gjithë qyteti me hidrofor janë, harxhojmë edhe energji elektrike”, u shpreh një banor.

“Tetova ka mjaftë probleme qoftë në infrastrukturë, qoftë në komunikacion apo furnizim me ujë, këto janë ato që gjithë ne kemi nevojë për to”, tha një tjetër.

Ndërkohë një pjesë e banorëve, edhe pse kishin dalë të realizojnë të drejtën e tyre të votës, nuk besonin aspak se do ndryshojë diçka për të mirë edhe pas këtyre zgjedhjeve. Politikanëve, nuk iu besojmë më, ishin fjalët e një pjese të votuesve.

“Nuk besoj më aspak më nuk besoj në politikanët”, tha një banor.

“Nuk besoj në asgjë më. Populli humbën gjithnjë, rrugët prishen, çkjo është s`kam çka të komentoj tjetër më shumë. Papunësi e madhe, tre fëmijë i kam pa punë, vajza ka kryer mjekësinë punon pastruese”, shtoi një tjetër banor./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button