Basha: Do vazhdojmë betejën, bashkëpunimi me krimin do të jetë zero

Kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë paradites së sotme ka zhvilluar një takim me strukturat në Durrës. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë betejën.

“Ne jemi një shtëpi e madhe. Gjithkush ka mendimet, kontributin, investimet, sakrificën, të mirat, të metat dhe gabimet e tij apo të saj. Këtu pa diskutim, bëj pjesë edhe unë por një gjë na bashkon; vendosmëria për të vazhduar për t’i shërbyer këtij vendi dhe këtyre njerëzve. Një gjë është e qartë, që ju keni pasur dhe keni përgjegjësinë dhe mundësinë për të vendosur kush ju përfaqëson dhe kush ju drejton. E keni pasur në të kaluarën dhe do ta keni përsëri shumë shpejt por ndërsa ju them këtë, po ju them që nuk ka në shtëpinë tonë asnjë të tepërt. Mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm na ndihmojnë dhe ne duhet t’i mirëpresim.

Megjithatë, gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë betejën. Të vazhdojmë betejën, të cilën me 25 prill, Edi Rama, Rrajat Cyrbet, Ndraxhët, Doshët, Rakipët me shokë, menduan se e mbyllën”.

Basha u shpreh se opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero.

“Çfarë do të bëjmë? Do t’i lëmë në mes të rrugës këta njerëz? Do tu themi që ne e bëmë tonën dhe kaq ishte? Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë. Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero. Sepse pushteti i marrë me krimin pjell vetëm krim”./OraNews

LEXO EDHE:

Back to top button