Bashkimi Evropian pret vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Aktakuzat e fundit nga Gjykata Speciale dhe kundërshtitë për themelimin e Asociacionit nuk pritet të pezullojnë dialogun Kosovë-Serbi. Pavarësisht dallimeve brenda koalicionit, Qeveria Hoti nuk sheh asnjë arsye të mos e vazhdojë bashkëpunimin me BE-në për zhvillimin e dialogut me shtetin fqinj. E qasje të tillë nga ekzekutivi për vazhdimin e dialogut po pret edhe vet Brukseli zyrtar. 

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe shoqëria civile e shohin si të paqartë vazhdimësinë e dialogut me Serbinë. Madje në partinë e Albin Kurtit thonëse në këto rrethana politike procesi i dialogut nuk guxon të udhëhiqet nga kryeministri Hoti.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano në një përgjigje për KosovaPress thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, pavarësisht zhvillimeve të fundit në vend.

“Dialogu, pas rinisjes së tij në muajin korrik, përsëri po vazhdon dhe po përparon me takime në nivel ekspertësh dhe të nivelit më të lartë politik. Udhëheqësit e të dyja palëve – presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti konfirmuan (në një̈ deklaratë të përbashkët më 7 shtator) se ata i japin përparësinë më të lartë integrimit në BE dhe vazhdimit të punës në dialogun Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuar nga BE. Duke e pasur të qartë këtë angazhim të përbashkët dhe kuptimi i përparësive, është thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën evropiane”, u shpreh Stano për KosovaPress. 

Në linjë të njëjtë me këtë të fundit është edhe Qeveria e Kosovës që përmes zëdhënëses së saj, Antigona Baxhaku, thotë se nuk ka arsye për pezullim të dialogut.

“Në dialogun Kosovë – Serbi, i cili po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Republika e Kosova merr pjesë për të realizuar interesat e veta dhe jo të Serbisë. Kryeministri Avdullah Hoti vlerëson se Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk ka asnjë arsye për të pezulluar bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian. Përkundrazi, zotohet se do të punojë me përkushtim e me ndershmëri për t’i realizuar obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese. Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë me të gjithë bartësit e institucioneve dhe me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh ajo në një përgjigje për KosovaPress.

Por pezullim të menjëhershëm të dialogut po kërkon partneri qeverisës i kryeministrit Avdullah Hoti.

LEXO EDHE:

Back to top button