Kasami i përgjigjet BDI-së: “Shqiptarët do të përfaqësohen denjësisht”
Pas akuzave të BDI-së për përjashtimin e shqiptarëve nga ceremonitë shtetërore dhe mosvlerësimin e tyre në ndarjen e çmimeve shtetërore “8 Shtatori”, ka reaguar një nga krerët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami. Ai hodhi poshtë pretendimet për përjashtim të qëllimshëm, duke sqaruar se përzgjedhja varet drejtpërdrejt nga komisionet vlerësuese dhe aplikimet e dorëzuara. Kasami theksoi se përfaqësimi nuk mund të matet me numra të fiksuar në çdo manifestim apo fushë të caktuar, por shtoi se shqiptarët do të jenë të përfaqësuar denjësisht në ngjarjet e ardhshme.
“Janë komisione të cilat bëjnë vlerësime në bazë të aplikimeve dhe kërkesave por sigurisht që ka manifestime kur do të ketë apo ka pasur më shumë shqiptarë. Nuk i shohim ne manifestimet e veçanta si diçka që duhet të ketë patjetër numër të caktuar të komuniteteve. Pra, konform angazhimit dhe kontributet që japin komunitetet në fusha të caktuara ndonjëherë mund të ketë më pak apo më shumë. Kjo do të thotë se në një çmim tjetër, në një manifestim tjetër besoj që shqiptarët do të jenë më të përfaqësuar”. – Bilall Kasami, VLEN.








