Nga Putini te Zelenski: Misioni amerikan për paqen vazhdon

Një ditë pas takimeve të rëndësishme në Moskë, përfshirë takimin me presidentin Vlladimir Putin, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur në Kiev për bisedime, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit, i cili tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Pak para mbërritjes së tyre presidenti ukrainas Zelensky tha në X se ishte takuar me ekipin negociues të Ukrainës për t’u përgatitur për bisedimet.

“Jemi të gatshëm për bisedën. Ukraina ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet konstruktive”, tha ai, duke shtuar se propozimet e Ukrainës ishin gati.

Të dërguarit mbërritën me tren dhe u pritën në stacionin e kryeqytetit nga zyrtarë të lartë ukrainas, para se të takoheshin me Zelenskin në një ceremoni në sheshin Shën Sofia.

Takimi në Kiev po zhvillohet disa orë pasi Witkoff dhe Kushner zhvilluan një takim treorësh me Putinin në Moskë.

Ndihmësi i Kremlinit, Yury Ushakov, i cili mori pjesë në takim, i cilësoi bisedimet si “substanciale, shumë të sinqerta dhe konstruktive”. Ai shtoi se të dërguarit paraqitën qëndrimin e SHBA-së dhe premtuan se do t’ua përcillnin udhëheqësve ukrainas në Kiev pikëpamjet e Putinit.

“Ata jo vetëm që shprehën interesimin e tyre të vazhdueshëm për t’i dhënë fund shpejt luftimeve, por paraqitën edhe një sërë idesh për rrugët e mundshme drejt një zgjidhjeje”, tha ai.

Ushakov këmbënguli se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj dhe se duhet të zgjidhen “shkaqet rrënjësore” të konfliktit. Ky është një formulim që Kremlini e përdor për t’iu referuar dhënies fund të shpresave të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe hapave për çarmatimin de facto të ushtrisë ukrainase, mes kërkesave të tjera të lidhura me ankesat historike – çështje që Kievi i ka refuzuar që një kohë të gjatë.

Presidenti amerikan Donald Tramp një ditë më parë tha se Uashingtoni kishte “një ide për paqen” dhe se të dërguarit e tij “po sillnin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”.

Ndërkohë, Moska dhe Kievi kanë rënë dakord për një pauzë të kufizuar të sulmeve ndaj kryeqyteteve gjatë lëvizjeve të delegacionit amerikan. Megjithatë, luftimet dhe sulmet ajrore në pjesë të tjera të Ukrainës dhe Rusisë kanë vazhduar, duke treguar se pavarësisht toneve më të buta diplomatike, hendeku mes palëve mbetet i madh.

LEXO EDHE:

Back to top button