Bastoret sportive, kundër ndryshimeve ligjore

Propozimi i Ministrisë së Financave për zhvendosjen e objekteve të lojërave të fatit 500 metra larg institucioneve arsimore do ta mbyllë gjithë sektorin. Nga Grupacioni i bastoreve sportive reagojnë duke thënë se ligj i tillë nuk ekziston në asnjë vend të BE-së, pasi largësia e bastoreve nuk ka kurrfarë ndikimi në shprehitë e qytetarëve. Ata kërkojnë nga Qeveria dhe Ministria e Financave urgjentisht të takohen me ta në mënyrë që t’i shpjegojnë pasojat negative nëse miratohen ndryshimet e tilla në Ligjin për lojërat e fatit.

“Sipas analizave që kemi bërë, kjo nënkupton mbylljen e 98 përqind të të gjitha bastoreve, gjegjësisht mbylljen e gjithë kësaj dege të ekonomisë, dhe kjo duhet të jetë e qartë se megjithëse nuk është e përshkruar me efektet e këtij ligji, ajo de fakto do të bëhet. Dendësia e popullsisë në qytetet tona më të mëdha është e tillë që afërsia e shkollave mes njëra-tjetrës nuk mundëson hapësirë që të mos ketë asnjë objekt të vetëm të lojërave të fatit në zonat urbane”, pohoi Vasko Ilievski  nga Asociacioni i bastoreve sportive.

Mga Ministria e financave thonë se ato janë të hapur dhe transparent për opinionin dhe me vetë publikimin e propozimit në Regjistrin Kombëtar Elektronik, tregojnë se do të ketë debat mbi këtë temë.

 “Paralajmërimi për ndryshimet në Ligj tashmë është publikuar në ENER, pas çka do të pasojë edhe publikimi i tekstit të ndryshimeve të propozuara në Ligj. Me këtë, tregojmë se do të ketë debat të hapur dhe konsultime me të gjithë palët e interesuara lidhur me zgjidhjet e propozuara”, thonë nga Ministria e Financave.

Paralajmërimi i publikuar në ENER nuk përmban detaje konkrete nëse largësia e objekteve do të vlejë vetëm për objektet e reja apo do duhet të zhvendosen edhe objektet ekzistuese që janë afër shkollave dhe fakulteteve. Nevoja për këto ndryshime sipas propozimit është se ligji ekzistues ofron mundësi që popullata e re të ketë qasje të lehtë në lojërat e fatit. Propozimi do të jetë në ENER deri më datë 16 të këtij muaji, ku mund të dërgohen vërejtje dhe sugjerime.

Andrea Çobanova

LEXO EDHE:

Back to top button