BE-ja e shqetësuar për investimet kineze në Ballkan

Investimet nga Kina në disa shtete të Ballkanit Perëndimor nxisin shqetësim në Bashkimin Evropian, për shkak të implikimeve politike, sociale dhe ekonomike, por edhe vendet e rajonit janë të lira që të zgjedhin partnerët e tyre.

Një mesazh të tillë e kanë përsëritur këto ditë në BE, kur janë pyetur lidhur me problemet që ka hasur Mali i Zi për shkak të një kredie të madhe që ka marr nga Kina për ndërtimin e një autostrade.

Në parim, investimet kineze për bllokun evropian nuk do të paraqisnin problem, sikur ato të ishin në përputhje me standardet evropiane, përfshirë edhe rregullat e prokurimit publik, të konkurrencës në treg si dhe respektimit të të drejtave të punëtorëve. Por, shumë kredi nga Kina si dhe projekte të tjera në vendet e rajonit të Ballkanit, nga BE-ja janë parë si përpjekje e Kinës për të përhapur ndikimin e saj ekonomik dhe politik në rajon.

Shembulli më i ri i problemeve me investimet kineze është ai në Mal të Zi. Zëvendëskryeministri në Mal të Zi, Dritan Abazoviq gjatë një vizite në Bruksel, kishte kërkuar ndihmë nga BE-ja për t’ia kthyer kredinë Kinës.

Por, në BE tani thonë se “janë të gatshëm të ndihmojnë me programe të ndryshme për stabilitet fiskal”, por jo edhe për të kthyer kreditë që Mali i Zi apo cilido shtet tjetër i rajonit ka marr nga ndonjë partner i tretë.

“BE-ja është e shqetësuar për efektet socio-ekonomike dhe financiare që mund të kenë investimet kineze. Ekziston rreziku nga disbalanca makro-ekonomike dhe varësia nga marrja e borxheve”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Zgjerimit, Ana Pisonero.

Pjesa e autostradës në Mal të Zi, që është duke u ndërtuar me kredinë nga Kina, pritet të lidhë Podgoricën me Kollashinin. Projekti final i autostradës krijon lidhje mes pjesës veriore dhe jugore të këtij shteti.

Kompania kineze CRBC po ndërton pjesën e parë të autostradës dhe banka kineze EXIM, i ka dhënë një hua Malit të Zi në vlerë prej 809 milionë dollarësh, pagimi i së cilës do të fillojë në mesin e këtij viti.

Në 31 mars, ministri i Financave Milojko Spajiç konfirmoi se qeveria po negocionte një hua shtesë me bankën EXIM, në shumën prej 127 milionë eurosh.

Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, më 2020, Kina ka investuar në Mal të Zi më shumë sesa investimet e përgjithshme të bëra në dekadën e fundit. Investimet kineze më 2020 kapën vlerën prej 71.2 milionë eurosh, ndërkaq që nga viti 2010 totali i investimeve ishte 78 milionë euro.

Në BE, disa herë kanë sqaruar se gatishmëria e tyre për të ndihmuar nuk duhet të kuptohet si gatishmëri për të kthyer borxhin që ndonjë shtet ka marr.

Zëdhënësi tjetër i BE-së, Peter Stano ka rikujtuar se si në Mal të Zi dhe në shumë shtete të tjera të rajonit, blloku evropian jo që është investuesi më i madh, por edhe donatori më i madh i ndihmës financiare si dhe partneri kryesor tregtar.

LEXO EDHE:

Back to top button