BE-ja ndan 70 milionë euro për vaksinat në Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian ka ndarë sot 70 milionë euro nga instrumentet e para-anëtarësimit për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të sigurojnë vaksinat kundër koronavirusit të ri nga sasia e dozave që janë porositur nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Këto mjete janë shtesë, krahas atyre që BE-ja ka ndarë për programin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, përmes së cilit shumë shtete të rajonit dhe të botës do të furnizohen me vaksina.

Mjetet e ndara, në vlerë prej 70 milionë eurosh, do të përdoren për të blerë vaksinat për grupet prioritare nga gjashtë prodhues me të cilët Komisioni Evropian ka marrëveshje, por edhe për pajisjet e nevojshme në rajon për programin e vaksinimit.

Vaksinimi në shtetet e BE-së tashmë ka nisur, pasi dozat e para të vaksinës janë siguruar nga Komisioni Evropian. BE-ja ka thënë se synon që nga sasia e vaksinave, që është dedikuar për shtetet anëtare, një pjesë të ndahet edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi vaksinat përmes programit COVAX, pritet të arrijnë më vonë gjatë vitit 2021.

Sipas Komisionit Evropian, vaksinat e para në rajon do të vinë nga sasia e dedikuar për shtetet anëtare të BE-së, për të mbuluar një zbrazëtinë deri tek arritja e sasive më të mëdha.

“Qasja në një sasi të dozave nga programi i porosive të BE-së do t’i mundësojë rajonit që të nisë vaksinimin paralelisht me vendet anëtare të BE-së”, thuhet në komunikatën e Komisionit Evropian.

LEXO EDHE:

Back to top button