BE kaloi pengesën e fundit, Apple duhet të kalojë në USB-C

Pas vitesh shqyrtimi, ligji i BE-së që detyron prodhuesit të përdorin një port USB-C ka kaluar pengesën e fundit dhe bëhet i vlefshëm në 20 ditë.

Prej disa vitesh, që nga viti 2018, Bashkimi Evropian dëshiron të prezantojë të njëjtin karikues për të gjitha pajisjet elektronike portative dhe kundërshtari më i madh i kësaj ideje ishte kompania Apple, e cila madje pretendoi se kjo lëvizje e BE-së do të mbyste inovacionin.

Megjithatë, pas debatit të brendshëm mbi ligjin e diskutueshëm, BE-ja finalizoi formën e saj në qershor dhe Parlamenti Evropian e votoi atë me një shumicë të madhe në fillim të tetorit.

Hapi i fundit, përpara se ligji të hynte në fuqi, ishte miratimi nga Këshilli Evropian, i cili sapo u bë, thuhet në deklaratë. Sipas procedurave të BE-së, ligji tashmë do të publikohet në fletoren zyrtare dhe do të hyjë në fuqi pas 20 ditësh.

“Të gjithë kemi të paktën tre karikues telefoni në shtëpi. Kërkimi për karikuesin e duhur, qoftë në shtëpi apo në punë, mund të jetë mjaft i lodhshëm. Për më tepër, këta karikues gjenerojnë 11,000 tonë mbeturina elektronike çdo vit. Të kesh të njëjtin karikues për pajisje të shumta do të kursejë para dhe kohë, dhe gjithashtu do të na ndihmojë të reduktojmë mbetjet elektronike”, tha Josef Sikela, Ministër Evropian për Industrinë dhe Tregtinë.

Rregulla të reja

Rregullat e reja do ta bëjnë portën USB-C të detyrueshme për një gamë të tërë pajisjesh elektronike. Kjo do të thotë që shumica e këtyre pajisjeve do të mund të karikohen duke përdorur të njëjtin karikues. Në mënyrë që konsumatorët të dinë se çfarë po blejnë, BE-ja po prezanton një piktogram të detyrueshëm që specifikon nëse pajisjet e reja vijnë me një karikues, si dhe një etiketë që tregon performancën e karikimit.

Direktiva gjithashtu i lejon konsumatorët të zgjedhin nëse do të blejnë një pajisje të re me ose pa karikues. Kjo jo vetëm që do të kursejë paratë e klientëve, por gjithashtu do të reduktojë mbetjet elektronike të lidhura me prodhimin, transportin dhe asgjësimin e karikuesve, thuhet në deklaratë. Katër vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, Komisioni do të vlerësojë nëse kjo ndarje e shitjeve duhet të jetë e detyrueshme.

Edhe pse ekziston për shumë vite, karikimi me valë nuk është ende i pajtueshëm në të gjitha pajisjet . Për të mundësuar që kjo teknologji të bëhet e disponueshme për më shumë pajisje, Komisioni do të punojë në harmonizimin e karikuesve me valë për pajisjet elektronike, si dhe në ndërveprueshmërinë bazuar në zhvillimet teknologjike.

Për cilat pajisje po flasim?

  • Telefonat inteligjentë
  • Tableta dhe e-lexues
  • Kamerat dixhitale dhe konzolat e lojërave
  • Kufje dhe altoparlantë portativë
  • Miu dhe tastiera pa tela
  • Sisteme portative navigimi
  • Laptopë (40 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit)

Po Apple?

Edhe pse nuk ishin të kënaqur me idenë e futjes së një porti USB-C, si një portë karikimi të detyrueshëm, duket se Apple supozoi se ligji do të votohej dhe miratohej, prej disa vitesh kemi pasur mundësinë të shohim pajisje që kanë një port USB-C.

Kompania jo vetëm që ka bërë tranzicionin e laptopëve dhe tabletëve të saj, duke përfshirë modelin iPad të lançuar së fundmi, por ata kanë ende 24 muaj për të kaluar smartfonët e tyre iPhone nga porta Lightning në USB-C dhe për të përfunduar tranzicionin.

LEXO EDHE:

Back to top button