BE- SHBA, miliona euro ndihmë për luftën kundër korrupsionit Maqedonisë së Veriut

BE- SHBA, miliona euro ndihmë për luftën kundër korrupsionit Maqedonisë së Veriut

Gazetar: Ardit Ramadani

Për një dekadë, vetëm Bashkimi Evropian ka investuar më shumë se 140 milion euro, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi 60 milion dollarë për luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut. Por sipas të gjitha matjeve, Maqedonia e Veriut ka dështuar në këto fusha. Në një prononcim për Alsat nga delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup, thonë se vendi në fakt nuk ka nevojë për vetting të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por për shfrytëzimin e mekanizmave dhe institucioneve ekzistuese, pasi që sipas tyre, Maqedoninë e Veriut e pret një rrugë e gjatë në këtë drejtim.

“Tani që procesi i negociatave të anëtarësimit po merr vrull, duke përfshirë edhe përmes procesit të skriningut, shqyrtimi ynë është shumë më intensiv. Gjatë procesit të anëtarësimit, progresi në fushën e sundimit të ligjit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e gjyqësorit, do të vlerësohet në çdo hap të rrugës, në lidhje me përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe standardet më të mira, por edhe ajo që është më me rëndësi, zbatimin adekuat të kornizës legjislative dhe funksionimin e duhur të institucioneve”, njoftojnë nga Delegacioni i BE-së në Shkup.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Alsat BE-ja i bëri thirrje institucioneve përkatëse që të forcojnë hetimin proaktiv, ndjekjen penale dhe dënimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe konfiskimin e aseteve kriminale. Edhe përkundër shqetësimeve për mënyrën e zgjedhjes, presin që shefi i Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, të veprojë me profesionalizëm dhe në mënyrë të pavarur.

“Procesi i fundit i zgjedhjes së kreut të kësaj zyre ka ngritur shqetësim të konsiderueshëm publik. Presim që Shefi i ri i PNKOK-së të sigurojë që Zyra e tij të veprojë me vendosmëri, profesionalizëm, në mënyrë të pavarur dhe me integritet në avancimin e rasteve brenda kompetencave të saj, përfshirë ato të iniciuara fillimisht nga Prokuroria e atëhershme Speciale”, thonë nga Delegacioni i BE-së në Shkup.

Në lidhje me arritjen e ekipit amerikan për të hetuar korrupsionin në vend, nga delegacioni i BE-së u shprehën se janë në kontakte të vazhdueshme me SHBA-të. Theksojnë se vazhdimisht kanë vënë në dukje rastet e dështimit sistemik në luftën kundër korrupsionit. BE-ja lavdëron punën e Komisionit për Antikorrupsion dhe Entit Shtetëror për Revizion, por shton se nevojitet shumë më tepër dhe se vendi vet duhet t’i përvesh mëngët.

Fusha më e kritikuar nga ndërkombëtarët është drejtësia dhe sundimi i ligjit. Me Drejtësinë në dekadën e fundit në Maqedoninë e Veriut kanë udhëhequr kryesisht ministra nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Përkatësisht, nga 8 ministra për një dekadë, 4 ishin të BDI-së, edhe atë Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi dhe Bilen Saliji. Për shkak të dështimit të sjelljes së drejtësisë në vend, ekipi amerikan zbarkoi në Shkup. Hetohet korrupsioni i funksionarëve, ndërsa më pas pritet të zgjerohet lista e zezë amerikane. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button