Begaj: SHBA e bëri Shqipërinë faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan

Begaj: SHBA e bëri Shqipërinë faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan

Në veprimtarinë festive te 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, Presidenti i ri i Shqipërisë Bajram Begaj u shpreh se dy vendet do të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin e tyre.

Begaj theksoi se SHBA- e bëri Shqipërinë me rëndësi gjeopolitike në Ballkan.

“Edhe për mua, ashtu si edhe për parafolësit, është kënaqësi e veçantë që sot mblidhemi edhe një herë për të kremtuar 100-vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerin tonë më të madh strategjik. Nuk do të doja të përsërisja aspak çka u tha më parë, por gjithsesi nuk mund të rri dot pa evidentuar (edhe njëherë) një moment të historisë, që lidhet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Padyshim që rolin më të rëndësishme në krijimin e këtyre marrëdhënieve e ka luajtur Presidenti Uillson. Emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare – siç thoshte Noli, i cili bashkë me Konicën dhe Vatranët e tjerë, besonin fort në politikën amerikane të kohës dhe vunë gjithçka patën në shërbim të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Ishte Presidenti Uillson që, me vizionin dhe përkushtimin e tij për një rend të ri botëror dhe një diplomaci të hapur, u bë mbrojtësi më i fuqishëm i pavarësisë dhe moscopëtimit të trojeve të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris”, tha Begaj duke nënvizuar se këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë.

“Sot ne qëndrojmë krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan dhe punojmë së bashku në fusha me rëndësi jetike. SHBA janë jo vetëm pjesë e aspiratave të kombit tonë, por edhe garantë të arritjeve tona. Rezultatet në reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit, e kanë shndërruar vendin tonë në një partner i cili përmbush rolin koherent, konstruktiv dhe diplomatik.Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë. Jam besimplotë se Shqipëria dhe Amerika do të vijojnë të jenë miq dhe partnerë të palëkundur të progresit. Partneriteti i ngushtë strategjik me SHBA-të do të gjejë hapësira të reja, ndërsa miqësia dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të zhvilluara në këto 100 vite, do të vijojnë të forcohen dhe përmirësohen edhe në qindra mijëra vitet e ardhshme”, u shpreh Begaj.

LEXO EDHE:

Back to top button