Bekim Sali përgjigjet me pyetje për jurisprudencën në shqip: Je gazetar?

Gazetar: Suad Bajrami

Në vend përgjigjes për çështjen e premtuar të provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali përgjigjet me pyetje. Në mungesë të qëndrimit ndaj deklaratës së kryeministrit që me VLEN-in nuk negocion, por vetëm bisedon, zëvendëskryeministri i parë Sali pyetjes gazetareske i përgjigjet me “Je gazetar?”. Nuk tregon as çfarë kanë diskutuar në mbledhjen e përbashkët me grupin e ekspertëve për të cilën dje kryeministri ishte i prerë se nuk janë marrë vesh “asgjë”.

“Kryeministër, dje keni pasur takim me grupin e punës për provimin e jurisprudencës, për çfarë u morët vesh? Asgjë. Ne jemi partnerë qeveritarë dhe bisedojmë për çdo temë. Nëse më pyesni nëse partnerët qeveritarë kanë biseduar, atëherë do t’ju përgjigjem se po, kemi biseduar. Ne nuk negociojmë mes vete që të kemi pozicione të ndryshme e pastaj t’i afrojmë ato. Por nëse pyetja do të ishte nëse keni biseduar, po, do t’ju përgjigjesha se po, kemi biseduar gjatë ditës së djeshme dhe mendoj se po ecim drejt një zgjidhje që është në pajtim me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare“, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër më 10 qershor.

Sali përgjigjet me “Je gazetar?”, edhe ndaj pyetjes se kur do ta zyrtarizojnë dhe shpallin zgjidhjen për provimin e jurisprudencës. Megjithëse për këtë pyetje, Sali ka dhënë përgjigje para një muaji kur tha se nuk ka vija të kuqe për afatin e zgjidhjes.

“Ka vijë të kuqe në aspektin e kërkesës  se duhet të zgjidhet ky problem, mirëpo nuk ka vijë të kuqe në aspektin e kohës kur duhet të zgjidhet për arsye se kemi të bëjmë me profesorë të cilët janë të angazhuar edhe në sferat tjera. Kështu që nuk është e vetmja punë që e kemi kërkuar nga ata”, deklaroi Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i parë më 12 maj.

Ndërkohë që sot Sali pyet nëse gazetarët janë gazetarë pse parashtrojnë pyetje, shtrohet çështja pse Sali nga pozita e zv.kryeministrit të parë, nuk e sheh të arsyeshme të përgjigjet  për diçka që është me interes publik të shqiptarëve. Sali njëherë kishte deklaruar se ligji ka defekte

“Ka një defekt në ligj. Nuk është precizuar gjuha në të cilën duhet të jepet provimi i jurisprudencës dhe këtë defekt do të mundohemi ne tani ta përmirësojmë apo ta precizojmë për arsye se, siç duket, Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme ta respektojë Kushtetutën”, deklaroi Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i parë më 2 qershor.

Por vetëm disa ditë pas kësaj deklaratë, vet Sali, pa nguruar tentoi të gllabëronte meritat pas një deklarate të kryeministrit i cili kishte thënë në konferencë se jurisprudenca mund të jepet në shqip.

Ndërsa çështja e provimit të jurisprudencës ka prodhuar revoltë dhe protesta nga ana e studentëve, Sali jozyrtarisht paralajmëroi një zgjidhje gjysmake, që pjesa teorike e provimit të jepet në shqip, ndërsa ajo praktike në maqedonisht. Ndonëse edhe këtë version nuk e kemi parë në formën zyrtare, studentët e refuzuan kategorikisht. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button