Revizioni: Rikonstruimi i Teatrit Shqiptar ka përfunduar, por jo në dokumente
Gazetar: Suad Bajrami
Ende pa asnjë epilog për parahetimin e rikonstruimit të objektit të Teatrit Kombëtar Shqiptar të Shkupit, i cili u hap në vitin 2018-të nga Prokuroria Speciale Publike e kohës, ndërsa me shuarjen e saj u transferua në Prokurorinë e rregullt. Organi i akuzës nuk jep detaje nëse ende vazhdon parahetimi mbi raportin e grupit punues që kishte të bëjë me procedurat e tenderëve.
Ndërkohë çështjen e rikonstruimit të objektit e solli sërish raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për punën e Teatrit gjatë vitit 2024, ndërsa konstatoi një sërë shkeljesh. Në librat financiar, Teatri Kombëtar Shqiptar i Shkupit ka evidentuar rreth 10.4 milionë euro mjete materiale që lidhen me rikonstruimin e objektit e cila zgjati mbi shtatë vjet, megjithatë, revizorët konstatojnë se mungon evidenca e materialeve me vlerë e mbi 150 mijë euro
“Sipas dokumentacionit kontabël, revizioni konstaton se nuk janë evidentuar mjete në përgatitje në lartësi prej 9.5 milionë denarë të cilët rrjedhin nga situatat ndërtimore dhe faturat për revizion të dokumentacionit projektues dhe mbikëqyrje të zbatimit. Në dhjetor të vitit 2025 është kryer evidentimi i pjesës të paevidentuar të mjeteve materiale në përgatitje, për çka revizioni nuk jep rekomandim për gjendjen e konstatuar”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
Ndërkohë Revizioni konstaton se pranim-dorëzimi i objektit pas mbarimit të rikonstruimit është dorëzuar pa prezencën e kryerësit të punimeve, ndërsa ndonëse ndërtimi i objektit është i përfunduar, në regjistrat e kontabilitetit figuron ende si objekt që është në ndërtim e sipër.
“Pas sigurimit të Lejes për përdorim, me Procesverbal në mungesë të kryerësit të punimeve është kryer pranim dorëzimi i punëve të kryera dhe pajisjes. Edhe përskaj lëshimit të lejes dhe rekomandimeve për lëshimin në përdorim të objektit ndërtimor dhe pajisjeve, të njëjtat në momentin e kryerjes së revizionit ende udhëhiqen si mjete materiale në përgatitje. Gjendja e këtillë ndikon në vërtetësinë dhe tregimin objektiv të pozitave në Bilancin e gjendjes dhe e njëjta nuk është në pajtueshmëri me nenin 22 të Ligjit për Kontabilitetit të Buxheteve dhe shfrytëzuesve buxhetor sipas të cilave raportet bazike financiare patjetër duhet të japin pasqyrim të saktë, të vërtetë dhe të plotë të gjendjes dhe burimeve të mjeteve”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
Rindërtimi i Teatrit shqiptar filloi më 12 Janar të vitit 2014, ndërsa u lëshua në përdorim në korrik të vitit 2021. Derisa ka zgjatur rikonstruimi, trupi i Teatrit ka performuar në objekte të tjera teatrale. Fillimisht, për rindërtimin e objektit ishte njoftuar se do të përfundonte në vjeshtë të vitit 2015. Kompania e parë e angazhuar për rindërtimin e objektit “Lamone Moreda” falimentoi. Vazhdoi “Schenzia”, kompani pronësia e së cilës nuk mund të përcaktohej në Itali. Çështja e rikonstruimit u përcoll në opinion me kritika dhe akuza për keqpërdorime.








