Bekim Sejdiu pranon kandidaturën për president: Jam vënë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të Kosovës. Në fjalën e tij para mediave, Sejdiu tha se e ka pranuar propozimin që të jetë kandidat për president, duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin ndodhet Kosova.
“Gjatë këtyre negociatave emri im ka arritur një pajtueshmëri si president konfidencial. Kjo më bën të nderuar për besimin. Është besim i madh dhe nder i madh. E kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha më shumë akademike, por duke qenë i vetëdijshëm për barrën që sjell posti, jam vu në shërbim të Republikës së Kosovës, që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë kudo dhe kurdo”, deklaroi Bekim Sejdiu, Kandidat për president të Kosovës.
Bekim Sejdiu është profesor universitar, jurist dhe diplomat kosovar, me përvojë në drejtësi kushtetuese, marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci. Që nga viti 2002, është profesor në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës. Sejdiu ka shërbyer edhe si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu kishte mbajtur poste në diplomacinë e Kosovës duke shërbyer si ambasador i Kosovës në Turqi dhe më pas si konsull i përgjithshëm në Nju Jork. Karriera e tij akademike është e lidhur kryesisht me të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Sejdiu ka përfunduar studimet në fushën e drejtësisë dhe ka ndjekur studime pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare dhe të drejta të njeriut. Zgjedhja në këtë post do ta bënte Sejdiun presidentin e shtatë të Kosovës nga shpallja e pavarësisë.
Me arritjen e marrëveshjes për presidentin, duket se rruga për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë është hapur. Partia e Kurtit i fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re. Megjithatë, që votimi për presidentin e ri të Kosovës të jetë i vlefshëm kërkohet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende. Së bashku me 18 mandatet e LDK-së, janë të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë./Alsat.








