Berisha kërkon pafajësinë e krerëve të UÇK-së: “Vendimi i vetëm i drejtë”

 

“Të gjithë ata që me interes të veçantë kanë ndjekur këtë proces, nuk kanë dëgjuar apo lexuar një provë të vetme që mbështet akuzat për të cilat ata u arrestuan. Ndaj, për çdo shqiptar, për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës mund të ketë vetëm një vendim: pafajësinë dhe vetëm pafajësinë e tyre. Dhe urojmë që ata të kthehen të pafajshëm siç janë, kryelartë, heroj të çlirimit të Kosovës.” – Sali Berisha, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Edhe deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka reaguar në lidhje me këtë çështje, duke e cilësuar si një moment kritik për drejtësinë dhe shprehet se procesi nuk duhet të krijon një padrejtësi të dytë historike ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Akuzat ndaj tyre për krime lufte janë jo vetëm absurde, por rrezikojnë të shndërrohen në një padrejtësi të dytë historike ndaj shqiptarëve të Kosovës: ndaj foshnjave të vrara në djep, nënave dhe motrave të përdhunuara e të torturuara, familjeve të masakruara dhe atyre burrave që morën armët për të mbrojtur shtëpinë, familjen dhe tokën e tyre nga një pushtues brutal. Është një ironi e dhimbshme e historisë që në Hagë të gjykohen ata që luftuan për të mbrojtur popullin e tyre, ndërsa figura të regjimit që urdhëroi dhe propagandoi luftërat e përgjakshme të viteve ’90 vazhdojnë të luajnë role në politikën serbe.” – Klevis Balliu, PD.

Ndërkohë, reagim pati edhe nga politikani socialist Taulant Balla, ku përmes një postimi në rrjetin social “facebook”, shprehu mbështetjen e tij në ditën kur do të shpallet vendimi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button