Dita e vendimit: Katër ish-krerët e UÇK-së para trupit gjykues

Sytë e të gjithë shqiptarëve sot janë drejt Hagës, atje ku merret vendimi i shumëpritur. Alsat ju sjell edicione të jashtëzakonshme të lajmeve duke filluar që nga ky edicion dhe më vonë në ora 12, 14 dhe edicionet e zakonshme në ora 16, 19 dhe 22. Gazetarët nga terreni do të sjellin vendimin, atmosferën dhe të rejat e fundit.

Pas pothuajse 6 vitesh në paraburgim, dëshmish dhe përballjesh në sallën e gjyqit, sot vjen momenti i vendimit për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të dalin para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku do të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë. Seanca pritet të fillojë në çdo moment dhe do të jetë e hapur për publikun, ndërsa do të transmetohet me dhjetë minuta vonesë në shqip, anglisht dhe serbisht.

Katër ish-krerët e UÇK-së përballen me gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte, ndërsa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave. Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023 kanë dëshmuar 134 dëshmitarë dhe janë paraqitur prova e argumente të palëve, ndërsa 156 viktima marrin pjesë në proces. Pas një procesi që ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme në Kosovë dhe më gjerë, sot pritet fjala e trupit gjykues që do të shënojë një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button