Berisha: ‘Non grata’ është hequr, SHBA nuk del me qëndrim zyrtar
Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Sali Berisha nuk është më “non grata” në SHBA. Kreu i Partisë Demokratike e konfirmoi vetë lajmin nga Kuvendi i Shqipërisë, ku u prit me duartrokitje nga deputetët demokratë.
“ Unë erdha, u krye”- tha Sali Berisha,Kryetar i Partisë Demokratike
Pas pesë vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shfuqizuar vendimin ndaj ish-kryeministrit shqiptar. Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se ka marrë një komunikim zyrtar për vendimin.
“Gjersa jam këtu do te thotë kam pasur komunikim zyrtarë… Sali Berisha nuk ka qenë kurrë non-grata të jeni të sigurt”-deklaroi Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike
Pas deklaratave të Berishës, shpërtheu tensioni mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.
“ Me dëmet që i keni bërë në këto 13 vite këtij vendi, jo vetëm opozitës, ta keni të sigurt që shumë shpejtë slogani i ri do të jetë “Rama në burg, Berisha në Uashington”-tha Belind Këlliçi, Deputet i PD-së
Ndërkohë, deputeti i PS-së, Taulant Balla, u shpreh se nuk do të komentojë çështjen pa një njoftim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se statusi “non grata” i Berishës është vështirë të hiqet.
“7031 c-ja mbi të cilën Sali Berisha është shpallur “non-grata” është pak vështirë të hiqet, megjithatë unë do ta komentojë këtë sapo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës o nga Departameni i Shtetit do t këtë një njoftim zyrtarë për këtë , unë nuk komentoj biseda telefonike sepse nuk është korrekte, nuk është institucionale”- u shpreh Taulant Balla,Deputet i PS-së
Sali Berisha u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 19 maj 2021, së bashku me familjen e tij të ngushtë, me vendim të Departamentit Amerikan të Shtetit. Njoftimi u bë publik nga Sekretari i Shtetit në atë kohë, Antony Blinken, i cili e justifikoi masën me përfshirje në korrupsion që minon demokracinë./Alsat.mk








