Besa Ademi nesër para komisionit të Këshillit Gjyqësor

Besa Ademi nesër para komisionit të Këshillit Gjyqësor

Gazetar: Adrian Kerimi

Të premten kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi do të dalë para komisionit në të cilin do të diskutohet për përgjegjësinë e saj si pasojë e iniciativës së ngritur për “mungesë të kulturës profesionale dhe juridike”. Në mbledhje do të jetë i pranishëm edhe iniciatori, ndërsa përveç Ademit, në sallë do të merr pjesë edhe avokati i saj në cilësinë e përfaqësuesit juridik.

Komisioni ka për detyrë t’i dëgjon palët, ndërsa propozuesi ka të drejtën e parashtrimit të pyetjeve në bazë të iniciativës, përkatësisht përmbajtjes së iniciativës. Çdo gjë që del nga çështja procedurale, qoftë nga parashtruesi apo edhe nga subjekti i iniciativës për përgjegjësi, mund të kontestohet dhe të mos lejohet në diskutim. Në fund diskutimi shtrohet në procesverbal i cili i dorëzohet Këshillit Gjyqësor dhe ky organ duhet të diskuton dhe vendos në mbledhje për masat që mund t’i ndërmerr: vërejtje, gjobë apo edhe shkarkim.
Në seancën e fundit këshilli vendosi që e gjithë procedura për vërtetimin e përgjegjësisë së Ademit të jetë publike dhe të monitorohet nga mediat. Kjo ishte kërkesë e vetë kryetares së Supremes, e cila në fakt po shkon drejt përgjegjësisë pikërisht për shkak të deklarimeve të saja në publik për presion politik ndaj punës së saj dhe Gjykatës Supreme.

Mbledhja e komisionit jo pa qëllim është caktuar në ditën e fundi të punës për këtë vit. Por përfaqësuesit diplomatik në vend, respektivisht shtetet të cilat kanë mbështetur ndër vite zbatimin e reformave në sistemin gjyqësorë janë deklaruar se pavarësisht ditës, mbledhja e komisionit nuk do të kalon pa vëmendjen e tyre.

Iniciativa për shkarkimin e Besa Ademit erdhi pasi kjo e fundit refuzoi që përmes qëndrimit parimor të kthen në fuqi abolimin e ish presidentit Gjorge Ivanov nga viti 2016, veprim ky që ish kryeministrit Nikolla Gruevski do t’i pastronte dosjen penale dhe do t’i mundësonte kthimin në shtet. Për qëndrimin e saj, Ademi mori edhe mbështetjen e ambasadores amerikane Aggeler, ndërsa për transparencën e treguar me opinionin, Ademi mori mbështetje edhe nga misioni vlerësues i BE-së në raportin e të cilëve është konstatuar se transparenca në këtë gjykatës dhe jo vetëm është rekomandimi kyç për të cilin duhet punuar shumë.

Pas mbledhjes së nesërme, raporti shkon tek kreu i Këshillit Gjyqësor i cili pritet që seancën për konstatimin e përgjegjësisë ta thërrasë pas festave. Ndaj cili do vendim që buron nga shumica e anëtarëve të këshillit, Ademi ka të drejtën e ankesës në Gjykatën Supreme, përkatësisht në gjykatën të cilën e drejton, por përsëri fjala e fundit është e këshillit.

Jo zyrtarisht anëtarët janë të ndarë në mendime për masat që duhet t’i ndërmerr këshilli, por një gjë e tillë pritet të vërtetohet në seancën kur do të votohet përgjegjësia. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button