BFI-ja 4 muaj me ushtrues detyre kryetar, “harrohen” reformat e premtuara

Vazhdojnë premtimet për reforma dhe organizimin e zgjedhjeve në BFI edhe pas katër muajsh prej kur Shaqir Fetahu u shpall ushtrues detyre, pozitë të cilën nuk e njeh as Kushtetuta e BFI-së. Fetahu thotë se organet e BFI-së do të vendosin kur do të mbahen zgjedhje.

“Në veçanti organi më i lartë që quhet Rijaset i Bashkësisë Fetare Islame. Jemi të bindur se kjo çështje do të kryhet dhe do të kryhet në mënyrën më të mirë konform Kushtetutës së BFI-së. Tani jemi në fazën e konsolidimit të radhës”, deklaroi Shaqir Fetahi, u.d. Kryetar i BFI-së.

Fetahu pa përgjigje konkrete edhe për keqpërdorimet eventuale financiare nga Sulejman Rexhepi bazuar në nenin 58 të kushtetutës ku veç tjerash thuhet se kreu i BFI-së mund të shkarkohet nëse “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, apo kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së.

“Mendoj se arsyet janë të dhëna me nenet e Kushtetutës së BFI-së dhe se sipas mendimit tonë është gjithçka e qartë dhe e dyta, Unë mendoj se institucioni në fjalë bën punën e vetë, ka organet e saja, ka edhe punët e saja të brendshme dhe ne mendojmë se gjithçka do të jetë transparente, e hapur e kështu me radhës”, tha Shaqir Fetahi, u.d. Kryetar i BFI-së.

Rijaseti i BFI-së më 27 maj e shkarkoi Sulejman Rexhepin nga pozita e kreu të BFI-së, ndërsa më 30 maj në konferencë për media, Shaqir Fetahu deklaroi se është emëruar ushtrues detyre. Për keqpërdorimet eventuale financiare të kryesisë së kaluar të BFI-së, si jo kompetente u shprehën edhe nga Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe nga Regjistri Qendror, të cilët thanë se BFI nuk ka dorëzuar raporte financiare vjetore. Ndërsa nga Policia Financiare, kohë më parë thanë se janë duke zhvilluar procedura para hetimore në BFI.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button