Biden dhe aleatët perëndimorë hapën një samit tre-ditor në Alpe të dielën me qëllim që të parandalojnë pasojat ekonomike nga lufta në Ukrainë

Presidenti amerikan Joe Biden dhe aleatët perëndimorë hapën një samit tre-ditor në Alpet bavareze të dielën me qëllim që të parandalojnë pasojat ekonomike nga lufta në Ukrainë dhe që të ruajnë koalicionin global që punon për të ndëshkuar agresionin rus.

Në këtë drejtim, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Boris Johnson i Britanisë i paralajmëroi liderët që të mos dorëzohen edhe pse Rusia ka lëshuar raketa të reja në Kiev.

Kështu, udhëheqësit ishin vendosur të shpallnin ndalime të reja për importet e arit rus, i fundit në një seri sanksionesh që klubi i demokracive shpreson se do ta izolojë më tej Rusinë ekonomikisht.

Ata gjithashtu po shikonin kufijtë e mundshëm të çmimeve të energjisë që synojnë të kufizojnë fitimet ruse të naftës dhe gazit që Moska mund të nxjerrë në përpjekjet e saj të luftës.

Veç kësaj, Biden të dielën po niste zyrtarisht një partneritet global të infrastrukturës, i krijuar për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës.

Nisma synon të shfrytëzojë 600 miliardë dollarë me vendet e tjera të G7 deri në vitin 2027 për të shpenzuar në projektet globale të infrastrukturës.

Ndryshe, Rusia, në një shfaqje të forcës para samitit, nisi sulmet e para me raketa kundër kryeqytetit ukrainas në tre javë, duke goditur të paktën dy ndërtesa banimi, sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko.

Biden dënoi veprimet e Rusisë si “më shumë barbarizëm të tyre” dhe theksoi nevojën që aleatët të qëndrojnë të vendosur.

“Ne duhet të qëndrojmë së bashku, sepse Putini ka llogaritur që në fillim se NATO dhe G-7 do të ndaheshin disi, por ne nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë këtë”, tha Biden gjatë një takimi para samitit me kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili mban presidencën e radhës të G-7 dhe është mikpritës i takimit.

LEXO EDHE:

Back to top button