Billie Eilish dhe Sabrina Carpenter ngushëllojnë gratë pas fitores së Trumpit
Billie Eilish dhe Sabrina Carpenter ngushëllojnë gratë pas fitores së Trumpit
Muzikantet e njohura amerikane, Billie Eilish dhe Sabrina Carpenter, kanë ngushëlluar adhurueset e tyre, pasi republikani Donald Trump fitoi garën për t’u bërë president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në koncertin e saj në Nashville, Billie Eilish shprehu shqetësimin e saj për fitoren e republikanit.
Ajo ka thënë se ndihej e pasigurt dhe e trishtuar për këtë rezultat, veçanërisht për gratë, duke e quajtur këtë një “luftë kundër grave”, shkruan Rolling Stone.
Ajo ka folur për përvojat e saj personale të abuzimit dhe për ndjenjën që shumica e grave kalojnë ngjarje të ngjashme.
“Koncerti im është mundësi për të krijuar një hapësirë të sigurt, ku gratë mund të ndiheshin të mbrojtura dhe të përkrahura”, ka thënë Eilish.
Në një koncert tjetër të mbajtur në Seattle, Sabrina Carpenter shprehu ndjenja të ngjashme, duke i kërkuar ndjesë publikut për gjendjen e vendit dhe duke siguruar gratë që ato janë të dashura dhe të vlerësuara.
“Më vjen keq për vendin tonë dhe gratë që janë në të. Ju dua shumë, shumë, shumë, dhe shpresoj që deri në fund të kësaj nate të kënaqeni shumë e ta shijoni koncertin sepse absolutisht e meritoni”, ka thënë ajo.
Sabrina gjithashtu kishte nxitur fansat e saj për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë në zgjedhje. Përmes partneritetit me organizatën HeadCount, ajo ndihmoi mbi 35,000 persona të regjistroheshin për të votuar dhe të angazhoheshin në procesin zgjedhor.
Të dyja artistet kanë përdorur koncertet e tyre për të shprehur mbështetje dhe solidaritet me gratë, duke i inkurajuar ato të qëndrojnë të forta dhe të angazhohen në ndryshim përmes votës dhe veprimeve sociale.
Trumpi në garën për president e mposhti demokraten Kamala Harris.