Bllokim i zgjedhjes së gjykatësve kushtetues, Georgievska: Opozita bllokon dhe kërcënon

Bllokim i zgjedhjes së gjykatësve kushtetues, Georgievska: Opozita bllokon dhe kërcënon

Gazetare: Fatlume Dervishi

19 vazhdime të seancës për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues në Komisionin parlamentar, por asnjëri i suksesshëm për ta përfunduar debatin. Gjithsej kanë marrë fjalën 9 deputetë, nga 30 të paraqitur. Kryetarja e komisionit për zgjedhje dhe emërime Marija Georgievska thotë se deputetët e VMRO-DPMNE-së në Komision në çdo formë të mundshme e bllokojnë zgjedhjen e gjykatësve të rinj kushtetues.

“Tipike për VMRO-DPMNE-në. Gjithmonë kur sillen vendime të rëndësishme për sistemin e drejtësisë ata bëjnë obstruksione, bllokojnë dhe kërcënohen. Ashtu ishte edhe gjatë zgjedhjes së prokurorëve publik, ashtu është edhe tani duhet të zgjidhen gjykatës kushtetues. Do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat në Kuvend, do t’i durojmë të gjitha presionet dhe kërcënimet, gjykatësit kushtetues të zgjidhen, kurse Gjykata Kushtetuese do të punojë me kapacitet të plotë”, tha Marija Georgievska, LSDM.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së mbajnë fjalime me orë. Më i gjati prej tyre ka qenë nëntë orë kurse nga partia insistojnë se ai nuk ka përfunduar akoma. Të 30 deputetët e opozitës maqedonase kundërshtojnë zgjedhjen e Lubomir Joveskit gjykatës kushtetues.

“Pas tre orësh fjalim të pandërprerë kërkuam që ai të ndërpritet që të mundësohet një pauzë normale që nëse jo më shumë, kolegia të mund të pijë një gotë ujë ose të shkojë në tualet por këtu kryetarja filloi të zbatojë rregulla të reja dhe nuk lejoi asnjë pushim kështu që Stamenskoska Trajkoska kishte fjalim të pandërprerë nëntë orë të plota”, deklaroi Dafina Stojanovska, VMRO-DPMNE.

Në komisionin për zgjedhje dhe emërime ishin propozuar nëntë kandidatë për gjykatës kushtetues, 6 nga VMRO-DPMNE-ja dhe 3 nga shumica parlamentare. Prej tyre duhet të zgjidhen vetëm 3. Debati ka ngecur te propozimi i pushtetit, kryeprokurori Lubormir Joveski. Miratimin e komisionit e kanë marrë dy kandidatët tjerë të propozuar nga shumica Fatmir Skender dhe Tatjana Vasiq Bozaxhieva.

Gjykata Kushtetuese funksionon me pesë nga gjithsej nëntë gjykatës sa duhet të ketë. Në nëntor, skadon mandati edhe i një gjykatësi tjetër me çka ky institucion do të përballet me mungesë kuorumi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button