“Bojkoti i mësimit”, Komisioni i formuar nga MASH-i do të të vendosë për nxënësin problematik
“Bojkoti i mësimit”, Komisioni i formuar nga MASH-i do të të vendosë për nxënësin problematik
Gazetar: Mihajllo Donev
Komision ndërdisiplinor i përbërë nga përfaqësues të MASH-it dhe komunave përkatëse do të vendosë se ku do të vazhdojë shkollimin nxënësi për shkak të të cilit bojkotohet mësimi nga nxënësit e të dyja shkollave. Ministrja e Arsimit Janevska vlerëson se reagimi i prindërve është i ekzagjeruar, sepse çdo fëmijë meriton të shkojë në shkollë.
“Nxënësit e shkollës fillore “Llazo Angellovski” në komunën e Aerodromit qëndruan në shtëpi. Ky është rezultati i bojkotit që po ndodh në këtë shkollë pas njoftimeve se nxënësi problematik mund të rikthehet sërish këtu”, raporton Mihajllo Donev, gazetar.
Nxënës i klasës së tretë është përjashtuar nga kjo shkollë për shkak të sjelljes së dhunshme. Prindërit kanë tentuar ta regjistrojnë në SH.F. “11 Tetori”, ku nxënësit dje qëndruan në shtëpi në shenjë bojkoti. Pas kësaj ka pasur tentativë të re të prindërve për ta kthyer nxënësin në shkollën e tij, por edhe këtu ka pasur bojkot. Pas kësaj, këshilli i prindërve i shkollës Llazo Angelovski sot ka mbajtur takim me përfaqësues të MASH-it, ku ministria përkatëse ka njoftuar se është marrë vendim për formimin e komisionit ndërdisiplinor.
“Është formuar komision ndërdisiplinor i përbërë nga përfaqësues të ministrisë, Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, komunës, shkollës dhe shërbimeve sociale, i cili mblidhet për të shqyrtuar dhe ndërmarrë masat dhe aktivitetet e duhura në përputhje me legjislacionin, në fokus të të cilit janë interesat më të mirë të nxënësit, por edhe të të gjithë të përfshirëve”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ndërkohë në shkollën fillore “11 Tetori” mësimi ka vijuar normalisht edhe sot. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dje në pyetjen e gazetarëve tha se reagimi i prindërve është i ekzagjeruar, duke theksuar se çdo fëmijë meriton arsimim dhe se ka shërbime që duhet të punojnë në përmirësimin e sjelljes së tij. /Alsat.mk