Borrell zotohet se do ta ndihmojë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Zhozef Borrell zotohet se do ta ndihmojë vendin që sa më parë të bëhet pjesë e BE-së.

“Pres sa më parë të miratohet Korniza negociuese dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare dhe të jeni të bindur në përkushtim tim personal për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe e di se edhe ju ndani të njëjtën vendosmëri me mua, që ta shoh Maqedoninë e Veriut dhe gjithë rajonin se si përparon në realizimin e perspektivës evropiane,” ka theksuar ndër tjerash Borrell në letrën drejtuar Zv/kryeministrit për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov.

Optimist edhe Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer.

“Shpresoj se konferenca e parë ndër-qeveritare do të mbahet sa më parë të jetë e mundur. Tani duhet që shtetet anëtare të mirren vesh për versionin final të kornizës negociuese, që praktikisht ia hap derën fillimit të negociatave” ka thënë Geer për agjencionin e lajmeve MIA.

Geer nuk komentoi nëse me kërkesë të Sofjes do të shtyhet mbajtja e konferencës së parë ndër-qeveritare, duke thënë se momentalisht shtetet anëtare po debatojnë për këtë por se është çështje e brendshme e Unionit dhe nuk mund të jep detaje. Geer vetëm theksoi se është shumë e rëndësishme të vazhdojë zbatimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshjes së Prespës, në atmosferë të mirë.

Në vigjilje të konferencës së parë ndër-qeveritare që është paralajmëruar të mbahet në dhjetor mes Shkupit dhe BE-së, Ministri i Jashtëm, Osmani po lobon në Bruksel, ndërsa Zv/kryeministri, Dimitrov me të njëjtin qëllim do të udhëtojë nesër për në Berlin.

LEXO EDHE:

Back to top button